Ekspertët tregojnë se çfarë dëme do të sjellë ndërtimi i fabrikës së çimentos në Klinë

Banorët e Klinës ka disa ditë që po protestojnë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në fshatin Dollc të kësaj komune, ndërtimi i kësaj fabrike mund të sjellë shumë dëme.

Pesë ekspertë të fushave të ndryshme që lidhen me këtë problematikë, kanë hartuar një raport lidhur me dëmet dhe ndikimet negative që do të sillte ndërtimi i kësaj fabrike, shkruan Demokracia.com.

Dr.sc. Zafer Gashi – për ndikimet në shëndet; Dr.sc. Gjokë Duhanaj – për ndikimet në agroekonomi; Prof. Dr. Zeqir Veselaj – për ndikimet në mjedis; Dr.sc. Milaim Musliu – për ndikimet në mjedis dhe MSc. Faton Berisha kanë hartuar raportin për këtë çështje.

Demokracia.com e ka siguruar këtë raport ku thuhet se ndërtimi i fabrikës së çimentos në Klinë do të sillte dëme ekologjike, ekonomike, shëndetësore e sociale.

“Ekspertët kanë vlerësuar se industria e çimentos renditet si ndotësi i tretë në nivel global, e cila kontribon me rreth 7% të CO2 të liruar në atmosferë, si një nga gazrat serrë. Prodhimtaria e çimentos bën pjesë në industrinë e rëndë, proces nga i cili rezulton ndotje enorme e mjedisit. Është pikërisht ndikimi i madh në mjedis aryeja që shtetet e zhvilluara kanë të vendosura taksa të larta dhe kritere rigoroze sa i përket kësaj industrie. Si rrjedhojë e këtyre masave, kompanitë e mëdha kanë tendenca të ikjes nga vendet e zhvilluara, për të shtrirë aktivitetin në vende ku rendi dhe ligji kanë zbatueshmëri të dobët, dhe mekanizmat e kontrollit janë të papërfillshëm, gjë që ju mundëson të përdorin teknologji të vjetra, të cilat shkaktojnë ndotje masive. Bilanci i kësaj do të thotë pasurim për industrialistët, kurse për vendet e varfëra, varfërim i mëtutjeshëm, duke ndikuar negativisht jo vetëm në mjedisin jetësor, resurset natyrore dhe ekonominë, por duke cënuar edhe shëndetin dhe të ardhmen e njerëzve. Pra rezultati: më shumë njerëz të sëmurë, më shumë njerëz të varfër. Kosova bën pjesë në grupin e vendeve në zhvillim, ku rendi dhe ligji, dhe mekanizmat e kontrollit nuk funksionojnë as për së afërmi sa i përket ruajtjes së cilësisë së mjedisit, sigurisë në ushqim, ujë të pijes, dhe ajrit të pastër.”, kanë vlerësuar ekspertët.

Ata i sugjerojnë vendimmarrësit që të kenë kujdes sa i përket projekteve që cenojnë natyrën dhe mjedisin. Si ndikime negative për ekonologjinë ata kanë cilësuar se janë: shkatërrimi i biodiversitetit, shkatërrimi i habitateve natyrore dhe shkatërrimi i peisazhit.

“Që nga fillimi i ndërtimit të një fabrike çimentoje, punimet do zhvilloheshin në dëm të shumëllojshmërisë biologjike të zonës. Procesi i ndërtimit të fabrikës, hapja e rrugëve për transport, pastaj eksplatimi i mineraleve gjatë operimit do shkaktonin shkatërrim fizik të biodiversitetit. Zona në të cilën synohet të ndërtohen fabrikat e çimentos është mjaft specifike sa i përket llojllojshmërisë biologjike. Në distancë rreth 5 km nga kjo zonë ndodhet Monumenti i Natyrës “Ujvarat e Mirushës”, i cili rajon karakterizohet me numër të madh të llojeve bimore dhe shtazore. Në rajonin e Mirushës janë prezente 590 lloje bimore të bimëve vaskulare, nga të cilat 170 lloje janë bimë mjeksore, 21 lloje janë endemike, kurse Aristolochia merxmuelleri është lloj stenoendemik që rritet vetëm në rajonin e Mirushës e askund tjetër në botë. Në këtë zonë janë evidentuar 83 lloje të fluturave, që përbën 40% nga gjithë llojet e fluturave në nivel vendi (171 lloje).  Duke marrë parasysh faktin se ky rajon përbën rreth 30% të gjithë llojeve të florës vaskulare të evidentuar në nivel Kosove, 40% të llojeve të fluturave, dhe shumë lloje tjera nga fauna, duke marrë parasysh edhe prezencën e llojeve endemike, me theks të veçantë llojin stenoendemik A.merxmuelleri, vijmë në përfundim se kjo zonë ka rëndësi të madhe për shkencën.”, thuhet në këtë raport.

Tek ndotja e mjedisit ekspertët kanë vlerësuar si ndikime negative: Ndotjen e ajrit, ndotjen e tokës dhe ndotjen e ujit të pijes.

Po ashtu, ekspertët kanë vlerësuar se ndërtimi i fabrikës së çimentos ka ndikim negativ edhe në ekonomi, pasi e dëmton bujqësinë.

“Kur nisemi nga fakti se Komuna e Klinës për shkak të pozitës gjeografike, pranisë së lumenjëve, klimës së favorshme dhe tokave pjellore, zhvillimin ekonomik e bazon parimisht tek prodhimtaria bujqësore, atëherë mund të konkludojmë se ndotja e mjedisit do godiste pa mëshirshëm këtë resor të rëndësishëm të ekonomisë. Ndikimi negativ do manifestohej si në rendimente, po ashtu edhe në cilësi të produkteve bujqësore. Bimët (në këtë rast pemët dhe perimet) qendrën e tyre të prodhimtarisë së materieve organike e kanë të koncentruar në gjethe (por edhe në kërcej e pjesë tjera të gjelbra). Nëse bima i nënshtrohet streseve mjedisore, në këtë rast ndotjes përmes depozitimit të grimcave të pluhurit dhe blozës në sipërfaqe të gjetheve, apo edhe pranisë së gazrave industrial, atëherë kjo ndikon që bima të reagojë me mbyllje të pjesëshme ose të plotë të gojëzave. Gojëzat janë të çara kryesisht në epidermën e gjethes, por edhe kërcejve dhe pjesëve tjera të gjelbra, përmes të cilave bëhet shkëmbimi i gazrave dhe traspirimi. Mbyllja e gojëzave përkthehet në ndërprerje ose ngadalësim të procesit të fotosintezës, nga i cili prodhohet materia organike. Edhe bimët ashtu si kafshët, kryejnë frymëmarrjen, nga i cili proces bima djegë materiet organike që i ka prodhuar përmes fotosintezës, të cilat i shërbejnë për rritje. Mbyllja e gojëzave rezulton me ndëprerje të procesit të frymëmarrjes. Si përfundim, prodhimtaria bujqësore bie, sepse pos ndotjes së ajrit që e përmendëm më lartë, e cila pengon fotosintezën dhe frymëmarrjen, për bimët impakt tjetër negativ do ketë edhe varfërimi i tokës bujqësore.”, thuhet tutje në raportin e siguruar nga Demokracia.com.

Depozitimi i pluhurit në sipërfaqe të tokës ndikon në rritjen e pH, gjë e cila redukton aktivitetin e mikroorganizmave të dheut, nga i cili aktivitet varet plleshmëria e tokës. Ndikimet e pluhurit nga fabrikat e çimentos tek disa kultura bujqësore shkaktojnë:

Tek rrushi – shkakton mbylljen e gojëzave;

Tek mjedra – pengon zhvillimin e polenit;

Tek fasulja – redukton fotosintezën, rritë nekrozën e gjetheve, pengon rritjen e gjetheve, shkakton përdredhje të gjetheve;

Tek gruri – redukton transpirimin, rritjen vegjetative dhe reproduktive;

Tek misri – redukton rritjen vegjetative dhe reproduktive, redukton madhësinë e farës;

Tek luledielli – redukton rritjen, fotosintezën dhe proceset katalitike;

Tek tërshëra – shkakton lëndime akute, dhe njolla të verdha në gjethe.

“Nga ndotja nuk do jetë imune asnjë degë e bujqësisë, sepse kur afektohet prodhimi dhe cilsia e biomasës, ndikimi direkt do jetë tek blegtoria. Agjensët e ndotjes apo ata toksik, me futjen në zingjirin trofik, kanë ndikim në të gjitha hallkat e tij, dhe kanë tendenca bioakumulimi në indet bimore dhe shazore. Po ashtu bletarët nuk do kishin më rendimente të mjaftueshme mjalti, e as cilësi, sepse nga studimet rezulton që ndotja e ajrit (sidomos era e gazrave) tek bletët shkakton konfuzion, dhe bletës rrjedhimisht i duhet më shumë kohë për mbledhje të nektarit. Pa bletën mbi 90% e frutave nuk arrijnë të pllenohen, dhe duke qenë se bleta është e ndjeshme ndaj ndotjes, atëherë kjo mund të përkthehet edhe në pakësim të frutave.”, kanë evidentuar ekspertët.

Po ashtu, ndërtimi i kësaj fabrike do të kishte edhe kosto shëndetësore.

“Njerëzit do fillonin të kërkonin më shumë shërbime shëndetësore, sepse mjedisi i ndotur do ulte cilësinë e të jetuarit, rrjedhimisht imuniteti do të dobësohej dhe nevoja për shërbime shëndetësore do rritej. Problemet me sëmundje pulmonre dhe kardiovaskulare do shtoheshin. Kur njerëzit fillojnë të sëmuren, pos humbjes financiare për shkak të nevojës për shërbime shëndetësore, produktiviteti i tyre në punë do zvogëlohej.”, thuhet tutje në raport.

Gjithashtu, sipas raportit të siguruar nga Demokracia.com, si pasojë do të pamundësohej edhe zhvillimi i turizmit.

“Komuna e Klinës është e begatuar me shumë lumenj e mjedise atraktive që paraqesin potencial të madh për zhvillimin e turizmit. Ujvarat e Mirushës si bukuri e rrallë natyrore dhe pasuri kombëtare, si dhe zona arkeologjike në Dresnik unike jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin, me mozaik të kohës romake (sh.II-III), paraqesin potencial të madh për zhvillim e turizmit. Është me rëndësi të theksohet se lokacioni ku synohet të ndërtohen fabrika çimentoje, është shumë afër zonava e objekteve që janë të shpallura zona të mbrojtura dhe monumente natyrore. Të tilla janë: Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut, i cili për shkak të vlerave historike, arkeologjike, artistike dhe shkencore, në vitin 2016 në një siëprfaqe pre 64.15 ha, është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.”, thuhet në raport.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu: Raporti-per-fabriken-e-cimentos-ne-Kline