Ekspertët shpjegojnë rënien dhe ringritjen “e çuditshme” të euros në Shqipëri

Artan Gjergji, ekspert për tregjet ndërkombëtare, shpjegoi se pse pati një rënie të euros disa javë para zgjedhjeve dhe pse brenda 72 orëve pati një ringritje të monedhës evropiane.

“Ndoshta janë zyrat e këmbimit valutor ose agjentët që shfrytëzuan periudhën parazgjedhore duke ulur nivelin mesatar të çmimit të këmbimit të euros dhe tani duan të realizojnë pjesën e fitimit. Në gjuhën e tregjeve financiare, ky quhet korrektim. Në dy muaj e blenë dhe e mbajtën euron dhe në dy ditë u përpoqën të merrnin fitimin”, deklaroi Gjergji.

Ndërsa ekspertja e ekonomisë, Zana Guxholli, theksoi se “zgjedhjet lokale nuk kanë aq shumë shpenzime sa zgjedhjet qendrore”, kështu që faktori që shpjegon ndryshimin “e çuditshëm” të kursit valutor në vendin tonë është “që ka lidhje me shkaqet e brendshme”.

“Qeveria e shpjegon me rritjen ekonomike, me remitancat dhe të ardhurat nga turistët, por këto kanë qenë të pamjaftueshme. Prandaj, të shkon mendja te tregu informal dhe te paraja e zezë”, shtoi Guxholli./A2 CNN