Ekspertët e ekonomisë: Qeveria aktuale s’ka treguar asnjë rezultat

Kriza ekonomike në vend është e pashmangshme sidomos pas pasojave që ka lënë pandemia, por edhe lufta në Ukrainë, po vlerësojnë ekspertët e ekonomisë.

Edhe përkund kësaj ekspertët e ekonomisë theksojnë se nuk duhet të ndalohen projektet e mëdha në vend, kjo pasi vazhdimi i tyre do të ndikonte në lulëzimin e ekonomisë.

Madje ata paralajmërojnë se do të ketë migrim të vazhdueshëm duke pasur parasysh kushtet ekonomike-sociale. Ata theksojnë se Qeveria duhet të përqendrohet në çështje zhvillimore, të krijohen vende të reja të punës, e që sipas tyre ende nuk ka ndonjë rezultat.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri për Ekonomia Online tha se për të tejkaluar krizën Qeveria duhet të merret me problemet e brendshme dhe t’i shfrytëzojë potencialet zhvillimore në vend.

“Ne duhet të punojmë për me i zgjidh ato probleme që janë në kompetencën tonë. Nuk kemi nevojë ta mësojmë Amerikën edhe Evropën se çka duhet të bëjnë ata, se ata e dinë vetë më mirë se na. Ne duhet të merremi me problemet tona të brendshme edhe mundësitë që i kemi, potencialet zhvillimore, pasuritë kombëtare, fuqinë punëtore që e kemi në disponim me i aktivizuar në mënyrë që kadale të rikthehemi në rrugë normale të zhvillimit”.

Shatri thekson se situata me pandeminë si dhe agresioni rus në Ukrainë i ka konvenuar Qeverisë aktuale për t’iu shmangur projekteve zhvillimore, duke shtuar se asnjë projekt i madh nuk është duke u zhvilluar dhe se gjithëcka ka stagnuar.

“Asnjë projekt i madh nuk po shihet që është duke u vazhduar, janë stagnuar krejt. E kam një përshtypje thjeshtë që pandemia edhe këto problemet që janë krijuar me situatën ndërkombëtare në Ukrainë, kësaj Qeverie i kanë konvenuar. Është shmang prej rrugës normale që e ka një Qeveri për të bërë buxhet, projektuar, planifikuar me projekte zhvillimore edhe me u thirr në atë ligjin për pandeminë që munden e u shmangë prej Ligjit për buxhetin edhe prej Ligjit për financat publike edhe me nda herë pas herë si vitra, donacione, shtesa”.

Sa i përket migrimit, ai thotë se tani veç se ka një fluks të largimit nga vendi, pasi me mijëra persona po marrin viza të punës.

“Po veç e kemi ne fluksin e ikjes, çka po donë më shumë. Me dhjetëra, mijëra persona po marrin viza pune, nuk po flas sa vetë kanë aplikuar për viza, por po thonë 50 mijë i kanë marr veç prej vitit të kaluar e këndej vizat e punës për perëndim”.

Edhe njohësi i rrethanave ekonomike Erton Bega për Ekonomia Online tha se situata ekonomike është jashtëzakonisht e rëndë.

Sipas tij, duhet të bëhet rishikimi i politikave fiskale, të ulet TVSh-ja, të bëhet reduktimi i akcizës, të bëhet indeksimi i pakove sociale si dhe indeksimi i pagave të sektorit publik.

“Kriza aktuale e çmimeve tejkalohet në disa forma. Mirëpo ne nuk i kemi në kontroll faktorët të cilët e kanë ndikuar këtë krizë. Një nga krizat me të cilën mund të ndikohet stopimi i kësaj është rishikimi i politikave fiskale për një periudhë të caktuar kohore përmes uljes së TVSh-së dhe reduktimit të akcizës në produkte të caktuara. Pastaj në raste sociale Kosova duhet të bëjë indeksimin e paketave sociale në bazë të kostos së rritur prej inflacionit dhe në një fazë të më vonshme duhet edhe të indeksohen pagat në sektorin publik të cilat do të mund të ndikonin në stabilizimin e kësaj gjendje. Situata është jashtëzakonisht e rëndë duke pasur parasysh që produktet esenciale të jetesës, qofshin ato ushqimore, qofshin të tjera janë ngritur jashtëzakonisht shumë”.

Bega thekson se projektet e mëdha nuk duhet anuluar pasi ka një efekt zinxhiror në ekonomi që lidhet me punësimin, të ardhurat e në qarkullimin e parave.

“Projektet kapitale të cilat janë të planifikuara me buxhetin e këtij viti nuk duhet të anulohen. Qeveria ka mundësi të rris borxhin publik për shkak se është në nivele të ulëta, më i ulëti në rajon dhe ti financoj këto projekte. Ndalesa e tyre e cila ashtu kështu është evidente për shkak të mosfunksionimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ndikon negativisht në ekonomi sepse bllokon mjete të cilat do të ndikonin në lulëzimin e ekonomisë, duke pasur parasysh problemet me të cilat po ballafaqohet Kosova tash”.

“Kjo është një investim i cili ka efekt multiplifikues në treg. sepse përveç kontraktorit i cili përfiton drejtpërdrejtë nga projektet publike janë ata të cilët angazhohen indirekt si subkontraktor. Pra ka një efekt zinxhiror në ekonomi që lidhet drejtpërdrejtë me punësimin  e po ashtu edhe me nivelin e të ardhurave. Për shkak që Kosova ka një ekonomi të bazuar në konsum dhe zhvillimi i projekteve publike ka efekt të drejtpërdrejtë në qarkullimin e parasë i cili nxit kërkesën agregate dhe për rrjedhojë sjellë rritje ekonomike”.

Sipas tij, migrimi përveç të papunëve prek edhe ata të cilët janë të shkolluar e kërkojnë mundësi më të mira të jetës, raporton EO.

“Ikja, migrimi është një problem me të cilin ballafaqohen të gjitha shtetet e rajonit. Kjo nuk prek vetëm shtresat që janë të papunë po prek edhe ata të cilët janë të shkolluar për shkak që kërkojnë mundësi më të mira jetese, qoftë për fëmijët e tyre. Prandaj kjo do të vazhdoj të jetë një problem i madhe dhe pesha e këtij problemi rritet duke e pasur parasysh situatën ekonomiko sociale në Kosovë që nuk është optimiste për të ardhmen”.

Sipas Begës ende nuk ka pasur rezultate nga ana e Qeverisë në krijimin e ambientit të volitshëm që do të garantonte punësim dhe prodhim.

“Përqendrimi duhet të jetë që përmes krijimit të sigurive juridike përmes rishikimit të politikave fiskale të krijohej një ambient i cili do të gjeneronte punësim dhe prodhim. Këtë  ka premtuar Qeveria dhe ne nuk kemi parë ende rezultate deri tani në këtë aspekt. Kjo është forma më e shpejtë dhe më e qëndrueshme e zhvillimit ekonomik”.