Dy të dërguarit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkely kanë kërkuar që taksa ndaj Serbisë të pezullohet me pa tjetër.

Këtë i kanë thënë një ditë më parë edhe kryeministrit Ramush Haradinaj në takim tek zyra e Presidentit Hashim Thaçi.

Këshilltarët amerikanë kanë kërcënuar edhe me bazës ushtarake Bonsdteel në Sojevë të Ferizajt, nëse taksa nuk pezullohet.

Përveç kësaj, amerikanët në takimet tjera, respektivisht në atë me deputetët e partive opozitare, LDK, PSD dhe Alternativa, kanë folur hapur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Burime të Ballkani.info brenda takimit bëjnë të ditur se amerikanë janë shprehur kategorikisht kundër shkëmbimit “të madh” të territorit ndërmjet Kosovë dhe Serbisë.

“Ata kanë thënë qartë dhe prerazi se s’mund të ketë shkëmbim të territorit ndërmjet dy vendeve, shkëmbim siç po pretendon presidenti Thaçi. Krejt çka mund të ndodh është korrigjim, demarkacion, i i kufirit. Ky korrigjim përfshinë disa kullosa, por jo qytete, madje as fshtara të të dyja shteteve”, kanë thënë burime të Ballkani.info.

Në anën tjetër, sipas njoftimit të Ambasadës amerikane pas vizitës së delegacionit të lartë të SHBA-së në Kosovë, thuhet se ky delegacion erdhi për të përforcuar porosinë e presidentit Donald Trump.

Më tutje, Ambasada potencon se taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake e minojnë partneritetin mes Kosovës dhe SHBA-së.

Deklarata e plotë e ambasadës:

Zëvendësdrejtori i Lartë për Evropë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC) John Erath, dhe Drejtori i NSC-së për Çështje Evropiane, Brad Berkley, u takuan dje me Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, pas vizitës në Beograd dhe takimeve me udhëheqësit e qeverisë së Serbisë. Mysafirët erdhën për të përforcuar porosinë e Presidentit Trump “për të zënë këtë moment unik … dhe për t’u përmbajtur nga veprimet që do ta bënin arritjen e një marrëveshjeje më të vështirë”. Në të dyja kryeqytetet ata theksuan shqetësimin e Shtëpisë së Bardhë se Dialogu duhet kthyer në binarë, dhe se të dyja palët duhet të ndërprejnë veprimet provokuese dhe të ndërmarrin hapa konstruktivë për tu kthyer në tryezën negociuese. Mysafirët përsëritën mesazhin e tyre nga letra ndërinstitucionale e 11 shkurtit se taksat në prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës janë pengesë në rrugën drejtë progresit, e minojnë partneritetin tonë, dhe duhet të pezullohen në mënyrë që Dialogu me Serbinë të lëvizë përpara. Ata theksuan urgjencën që Kosova të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, dhe rreshtimin SHBA-Kosovë për këtë interes të përbashkët strategjik. /Ballkani.info/