EKSKLUZIVE: Si pasojë e veprimeve të Hotit, koalicioni qeverisës drejt prishjes

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti edhe pse është parë si një politikanë racional, veprimet e tij ngjajnë bukur shumë në mendësinë totalitare. Shkarkimet e njëpasnjëshme, shuarja e Taskë Forcës antikorrupsion, mbushja e institucioneve të pavarura më njerëz të LDK-së, etj., janë veprime të Hotit në javën e fundit.

Kësaj mësymje të Hotit sot i janë shtuar edhe shkarkimet në Bordin e Përkohshëm të KEK-ut.

Kryeministri Hoti ka “mbledhur” online në ora 13:00 qeverinë e tij për të votuar për shkarkim të një pjese të bordit dhe emërim po në ato pozita të dy personave tjerë. Kohë për votim u ka dhënë vetëm 4 orë, shkruan Ballkani.info.

Hoti me këtë vendim ka larguar nga bordi i KEK-ut, kryesuesin Hysen Fazliu dhe anëtarin Egzon Berisha, duke i zëvendësuar me Musa Misinin dhe Fadil Hoxhën.

Musa Misini është ish-kryetari i Komunës së Vitisë nga radhët e LDK-së dhe ish-kandidat po për këtë parti në zgjedhje nacionale për një ulëse në Kuvend.

E të gjitha këto veprime të Hotit dhe përplasjet e fundit me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj duket se po çojnë drejt prishjes së koalicionit, respektivisht rënies së qeverisë.

Haradinaj, ngjashëm sikur amerikanët dhe evropianët, kritikoi Hotin për shuarjen e Taskës Forcës kundër korrupsionit. Kjo Taskë Forcë ishte duke hetuar një sërë hetimesh për krim dhe korrupsion të nivelit të lartë, megjithatë Hoti zgjodhi zhbërjen e saj. Zhbërja u bë pa u konsultuar fare me partnerët e koalicionit, njëjtë siç ndodhi sot me Bordin e KEK-ut. Për emërimet e reja në Bord të KEK-ut nuk ishte fare i njoftuar Blerim Kuçi, ministri i Ekomomisë, e KEK-u pikërisht mbulohet nga ministria e tij.

Kuçi është ministër nga radhët e AAK-së.

Burime të sigurta të Ballkani.info brenda koalicionit qeverisës kanë thënë sonte se vendimet e njëanshme të Hotit dhe moskonsultimet me partnerët e koalicionit janë duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakoheshme.

“Hoti është duke bërë veprime tepër të pamatura, inviduale dhe të dëmshme. Prandaj është çështje ditësh prishja e koalicionit. Qeverisja e tij po e thellëon çdo ditë e më shumë krizën në vend, derisa kokëfortësia që po e karakterizon së fundi tregon se ai nuk ka jetëgjatësi më shumë se disa ditë si shef i ekzekutivit”, kanë thënë këto burime për Ballkani.info.

Mbetet të shihet se si do të veprohet këto ditë, pasi që tashmë VV-ja ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për mocion të mosbesimit ndaj Hotit. /Ballkani.info/