LAJMI I FUNDIT

EKSKLUZIVE: Regjistrimi i popullsisë nuk pritet të nis më 1 nëntor, Qeveria nuk i përmbushi kërkesat e Agjencisë së Statistikave

Qeveria e Kosovës kishte vendosur më 23 gusht që ta shtyjë për dy muaj procesin e regjistrimit të popullsisë, e që pritej të niste më 1 nëntor të këtij viti. Mirëpo, Ballkani.info mëson ekskluzivisht se regjistrimi i popullsisë me gjasë do të shtyhet sërish.

Ballkani.info mëson se Agjencia e Statistikave të Kosovës sot ka kërkuar nga Qeveria që të shtyjë vendimin për regjistrimin e popullsisë.

Burimet tona brenda ekzekutivit thonë se Qeveria nuk ka arritur të përmbushë kërkesat e Agjencisë së Statistikave për numrin e regjistruesve të popullsisë në nivel vendi dhe mos pranimin me kohë të tabletëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 23 gusht, duke e dhënë arsyetimin e këtij vendimi gjatë një seance të Qeverisë së Kosovës, pati thënë se një sërë vonesash në proces e kanë bërë të pamundur nisjen e regjistrimit të popullsisë më 1 shtator.

Ai ka thënë se procesi është shtyrë shkaku i rezistencës nga Komisioni Qendror i Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës së prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor. Pra, [procesi do të fillojë] dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet”, tha Kurti.

Më 4 tetor të këtij viti, drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha, ka deklaruar se ekziston mundësia që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet sërish, pasi sipas tij, ende s’është bërë sigurimi i pajisjeve për regjistrim.

Regjistrimi do të duhej të kryhej në 2021-n, por ishte shtyrë për shkak të pandemisë së COVID-19, ndërsa sivjet ishte paraparë të niste më 1 shtator, por ishte shtyrë sërish.

Berisha ka deklaruar se pos që s’është kryer sigurimi i tabletëve që shfrytëzohen për grumbullimin e të dhënave në terren, ende s’është arritur numri i duhur i rekrutuesve në këtë proces.

“Aktualisht i kemi kryer projektet e prokurorimit, por po ballafaqohemi me sfida. Sigurimi i tabletëve është sfidë, e kjo e afekton edhe trajnimin e stafit. Më 26 shtator kemi hapur konkursin por s’kishte aplikime të mjaftueshme deri më 2 tetor dhe u detyruam të bënim zgjatjen deri më 6 tetor. Mosaplikimi do të ndikojë në aktivitete të tjera”, kishte deklaruar Berisha. /Ballkani.info/