Kosovari i arrestuar

Ekskluzive: Ramadan Maloku është kosovari i arrestuar në Serbi

Kosovari i arrestuar nga autoritetet serbe është Ramadan Maloku, 59 vjeçar, nga fshati Nerodime e Ferizajt, raporton Ballkani.info.

Shtetasi kosovar, Ramadan Maloku, për momentin është në mbajtje në Beograd, derisa me rastin e tij të ashtuquajtur “krime lufte” mësohet se po merret Zyra e Prokurorit Special në Serbi.

Ministria e Punëve të Jashtme më herët ka reaguar duke e vlerësuar sjelljen e autoriteteve serbe karshi shtetasve të Republikës së Kosovës të ngjashme me politikat e Millosheviqit dhe veprimet e tilla i ka konsideruar thjesht si një “gjueti shtrigash” ndaj shtetasve tanë.

“Autoritetet serbe para se të merren me shtetasit e shtetit fqinj – Republikës së Kosovës do të duhej të merreshin me shtetasit e tyre serb, të implikuar në krimet e luftës, kundër njerëzimit dhe krimeve tjera në Kosovë, gjë të cilën ata kanë dështuar ta bëjë.

Kjo është dëshmia më e mirë se në Serbi nuk ka asnjë shenjë keqardhje, pendimi e as kërkim falje ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, sikurse nuk ka pasur as me qytetarët e vendeve tjera në rajon”, thuhet në njoftimin e MPJ.

Ministria e Punëve të Jashtme i ka bërë thirrje Serbisë që urgjentisht të ndalë keqtrajtimet, maltretimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës. /Ballkani.info/