Skuadra shtatë herë fituese e Ligës së Kampionëve, Milani, do të jetë sot në Prishtinë për të zhvilluar një ndeshje miqësore me kampionin e Kosovës, Feronikelin, shkruan Ballkani.info.

Burime të Ballkani.info kanë bërë të ditur se “Rossonerët” kanë pranuar të vijnë në Kosovë për ballafaqimin me “Niklin” pa marrë asnjë cent. Madje gjigandi italian, do të paguajë vetë për akomodimin në hotel dhe fluturimin me avionin charter.

Ishte raportuar se Milani do të fitojë rreth 600 mijë euro nga kjo miqësore, por ky pretendim nuk rezulton të jetë i saktë. 18 herë kampionët e Italisë kanë mbetur të impresionuar nga entuziazmi i tifozëve kosovarë për të parë nga afër skuadrën e tyre të zemrës, teksa Milani këtë përballje e ka cilësuar si historike, gjersa ka mbërritur në Prishtinë me futbollistët më të mirë.

Kompania AS Events që është përgjegjëse për organzimin e ndeshjes miqësore Feronikeli-Milan do të ketë fitim 100% nga shitja e biletave. Çmimet astronomike të biletave dolën në shitje 1 muaj më parë, duke filluar nga 35 euro deri në 155 euro. Pas interesimit të ulët të qytetarëve për të qenë të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” (ishin shitur vetëm 4 mijë bileta), AS Events vendosi t’i “lirojë” çmimet. Biletat që ishin shitur për 35 euro kanë rënë në 15 euro, ato që kanë kushtuar 50 euro janë shitur për 35 euro, ndërsa biletat me çmim 90 euro janë zbritur në çmimin prej 59 dhe 69 euro. Kategoria e fundit e biletave është shitur për 89 euro.

Stadiumi “Fadil Vokrri” ka kapacitet rreth 12 mijë ulëse, derisa nga çmimet e biletave kompania AS Events pritet t’i fitojë qindra mijëra euro.

Kujtojmë se për të shikuar një ndeshje të Milanit këtë sezon në “San Siro” ndaj skuadrave të rëndësishme në Serie A si Sampdoria dhe Torino duhen 35 euro respektivisht 40 euro.

Ndeshja miqësore Feronikeli-Milan luhet sonte me fillim prej ores 20:45. /Ballkani.info/

loading…