Ekskluzive: Ky është programi i Qeverisë për 11 vjetorin e pavarësisë (Logo/Slogani)

Dita e Pavarësisë, 17 shkurti, tashmë është shumë afër.

Këtë vjet festa organizohet nën patronatin e Qeverisë së Kosovës dhe tashmë zyrtarët qeveritarë kanë bërë publike edhe sloganin e logon zyrtare të 11 vjetorit të pavarësisë.

Nga burime brenda Qeverisë së Kosovës, Ballkani.info ka mësuar edhe programin qeveritar që është planifikuar për shënimin e 11 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Një ditë para Ditës së Pavarësisë, Qeveria e Kosovës mësohet se Deklaratën e Pavarësisë do ta “shëtisë” në mënyrë ceremoniale në 7 komunat më të mëdha rajonale të Kosovës.

Po ashtu, po këtë ditë, në sheshin e Prishtinës do të vendosen edhe disa punime artistike të quajtura “Simbolet e Pavarësisë”.

Më 16 shkurt do të hapet edhe një panair me prodhime vendore në sheshin “Adem Jashari”, i cili do të quhet “Tregu i Pavarësisë”, raporton Ballkani.info.

Këtë ditë do të vendosen edhe disa flamuj më të mëdhenj shtetëror në disa vende të frekuentuara të kryeqytetit.

Ndërsa, Dita e Pavarësisë, 17 shkurti do të nisë me mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, e cila mësohet se është menduar të ketë karakter festiv.

Më pas, diku ne ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë solemne do të ngrihet edhe Flamuri i Kosovës dhe pastaj krerët e shtetit do të bëjnë homazhe tek shtatorja e ish-presidentit Rugova dhe në Prekaz.

Gjatë kësaj kohe, në sheshin e Prishtinës, po ashtu do mbahet edhe një aktivitet me fëmijë.

Ballkani.info mëson se Seanca Solemne e Kuvendit të Kosovës është planifikuar të mbahet rreth orës 11:00.

Kurse, rreth orës 12:30, do të ketë edhe parakalim të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Aty krerët shtetërorë do t’i lexojnë edhe fjalimet e tyre, kurse më pas befasi do të jetë edhe fluturimi i disa paraglaiderëve me flamuj të 11 vjetorit të pavarësisë.

Po ashtu, një aktivitetet do ta kenë edhe Shoqata e Gastronomeve të Prishtinës në sheshin “Skënderbeu”, ku do të mbushin një tavolinë të madhe festive me pije e prodhime vendore.

Koncert festiv për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës do të ketë gjatë ditës edhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”.

Ndërsa, krejt në mbrëmje, rreth orës 19:30, do të organizohet edhe pritja shtetërore për të gjithë të ftuarit shtetërorë dhe mysafirët e huaj.

Dita e Pavarësisë, pas orës 20:00, do të mbyllet me një koncert festiv më të madh në shesh, ku do të performojnë disa këngëtarë të estradës sonë. /Ballkani.info/