Që nga 1999

Ekskluzive: Kush janë ‘kapot’ serbë të krimit që kontrollojnë veriun e Kosovës (Dokument)

Milan Ivanoviqi është kriminel i madh. Ai e kontrollon tregun e karburanteve, kontrabandën me ilaqe dhe me materiale ndërtimore në veriun e Kosovës. Marko Jakshiqi e ka ushqyer nacionalizmin e shfrenuar të serbëve në veri dhe është pjesë e trafikantëve më të mëdhenj të tregtisë së zezë me karburante. Kurse, Dragan Dalibashiqi, i njohur si kapiten “Dragani”, është një prej emrave kryesorë që menaxhon me bandat serbe në veriun e Kosovës. Edhe Sllavisha Ristiq shfaqet si nacionalist i moderuar, por është i fshehtë dhe shumë i rrezikshëm. Ndërsa, Aleksandar Antonijeviq, i njohur me nofkën “Vuçko”, është një prej kokave të krimit dhe mafisë në veriun e Kosovës. Vuçina Janiçijeviq, është përgjegjës direkt për organizimin e strukturave paralele të MUP-it serb në veriun e Kosovës.

Këta emra të njohur për publikun kosovarë janë disa prej njerëzve kryesorë të Këshillit Nacional Serb në veriun e Kosovës, që me vite të tëra e kanë kontrolluar kontrabandën dhe i kanë ushqyer me nacionalizëm serbët e veriut të Kosovës.

Kështu përshkruhen në një raport konfidencial të NATO-s, të siguruar nga Ballkani.info me përkthim në gjuhën shqipe.

Në këtë raport konfidencial të pasluftës në Kosovë, politikani serb i vrarë gjatë këtij viti, Oliver Ivanoviq, përshkruhet si përgjegjës për vrasjen e 26 shqiptarëve dhe hartues i një liste për likuidimin e intelektualëve dhe civilëve të tjerë shqiptarë në veri të Kosovës.

Aty thuhet se Oliver Ivanoviq nuk ka pasur raporte të mira as me Milan Ivanoviqin brenda të të ashtuquajturit Këshill Nacional Serb i Veriut.

“I gjetur ngushtë nga rezistenca e madhe e Milan Ivanoviqit brenda të të ashtuquajturit Këshill Nacional Serb i Veriut, Oliver Ivanoviqi ndërron kartën politike, bëhet liberal”, thuhet në raportin konfidencial të NATO-s.

Sipas këtij raporti, në kaosin e krijuar në veri të vendit, Oliver Ivanoviqi, nën petkun e politikanit liberal kishte arritur të menaxhonte milionat e projekteve për pakicën serbe, në emër të kthimit të serbëve të zhvendosur.

Por, më pas e tërë struktura e nacionalizmit të dikurshëm serb në veri të Kosovës ishte shuar, shkruan Ballkani.info.

Kësaj shuarjeje i kishte mbijetuar vetëm Milan Ivanoviqi, i cili së fundmi, pas vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës, po propagandon me të madhe se po rrezikohet edhe mirëqenia e serbëve në veri, për shkak të pamundësisë së furnizimit me barna mjekësore.

Dhe këtë gjë po e thotë pikërisht ai që në raportin konfidencial të NATO-s përshkruhet si kontrabanduesi kryesor me ilaqe në veriun e Kosovës.

Po ashtu, në veriun e Kosovës gjithmonë trajtohet me shumë dyshim sesi mbijetoi nga i gjithë grupi i Këshillit Nacional Serb vetëm Milan Ivanoviqi, meqë asnjëri nga pjesëtarët e tjerë nuk janë më funksional, siç ishin Dragan Delibashiq, Oliver Ivanoviqi, Sllavisha Ristiqi dhe të tjerët.

Por, mbijetesa e tij përflitet se është vetëm falë lidhjeve të ngushta që ka me Millan Radojiçiqin dhe vëllezërit Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, të cilët e morën kontrollin e veriut të Kosovës, pas ardhjes në pushtet të Aleksandar Vuçiqit.

Fuqizimi i Millan Radojiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq në veriun e Kosovës mësohet se është bërë direkt nga familja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku dyshohet se aksionar në të gjitha bizneset e këtyre të tre serbëve të veriut është edhe vetë vëllai i presidentit serb, Andrea Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes Millan Radojiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq, që e kontrollojnë tashmë tërësisht nëntokën në veriun e Kosovës, ka arritur gjithnjë që ta kontrollojë edhe skenën politike serbe në veriun e Kosovës.

Millan Radojiçiq, sipas Policisë së Kosovës, është njeri prej të dyshuarve kryesorë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, i cili ishte lideri i vetëm lokalë serbë në veriun e Kosovës, që nuk i ishte bindur Vuçiqit, që të bëhej pjesë e Listës Serbe dhe të futej nën kontrollin e Millan Radojiçiqit. /Ballkani.info/