Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së dje ka mbajtur mbledhjen e parë konstituive pas Kuvendit Zgjedhor të 3 gushtit ku Isa Mustafa u rikonfirmua kryetar edhe për një mandat.
Në këtë mbledhje, sipas deklaratave të pjesëmarrësve është diskutuar për procesin zgjedhor në nivel vendi pas shpërndarjes së Kuvendit që pritet të ndodh më 22 gusht.
Sipas Vjosa Osmanit, deputete e kësaj partie dhe anëtare e Këshillit të Përgjithshëm, në mbledhje nuk është biseduar për kandidaturat për kryeministër, por vetëm për procesin zgjedhor dhe përgatitjet që kjo parti të del e para në zgjedhje.
Megjithatë, Ballkani.info mëson se në këtë mbledhje janë përmendur tre emra si kandidat të mundshëm për kryeministër nga LDK-ja.

Arban Abrashi
Emrat e përmendur janë Arban Abrashi, Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani
“Arsyeja se pse në listë të ngushtë ka hyrë Arban Abrashi ka të bëjë me suksesin që ai ka arritur në garën për kryetar të Prishtinës. Sa i përket pretendimit të Vjosa Osmanit, për bazë është marrë suksesi i saj në zgjedhjet e kaluara nacionale ku kishte marrë rreth 60 mijë vota. Mirëpo, kandidat tjetër i rëndësishëm dhe i fuqishëm është edhe Lutfi Haziri i cili i vetëm e ka fituar Gjilani në tri raste, si dhe ka kredibilitet dhe fuqi jo vetëm në Gjilan por në tërë Anamoravën”, kanë thënë këto burime për Ballkani.info.

Lutfi Haziri
Tutje këto burime thonë se nga kombinimi ka rënë deputeti Lumir Abdixhiku, pasi që ai deri më tash nuk është provuar në asnjë pozitë udhëheqëse, as si kryetar komunë e as si ministër.
Në anën tjetër, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë mbrëmë se mund të jenë 5-6 persona që e meritojnë të jenë kandidat për kryeministër, por që nuk ka pranuar të jep emra, duke thënë se vendimi do të merret nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm. Ai nuk e ka saktësuar një datë se kur mund të ndodh kjo. /Ballkani.info/







