Ekskluzive: Gazetarët e Kosovo-Online bllokojnë portalin e tyre si protestë ndaj Vuçiçit

Portali pro-rus në gjuhën serbe Kosovo-Online duket se është bllokuar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Ballkani.info mëson ekskluzivisht se si rezultat i qëndrimeve të ndryshme brenda redaksisë dhe gazetarëve të Kosovo-Online lidhur me referendumin në Serbi dhe mos mbajtjen tij në Kosovë, disa punonjës serb të Kosovo-Online kanë bllokuar faqen e kësaj medie.

Madje një pjesë e redaksisë së Kosovo-Online, për të arsyetuar përçarjen dhe pakënaqësitë e brendshme dhe arsyen e vërtetë të këtyre dallimeve, janë munduar që në një tentativë të dëshpëruar që fajin për bllokimin e faqes të ja lënë sulmeve nga hakerët, përmes një postimi të tyre në faqen në “Facebook”.

Ky sabotim nga brenda Kosovo-Online, shpërfaq dallimet e mëdha në shoqërinë serbe të cilat janë duke u manifestuar çdo ditë e më shumë, pasi që serbët e Kosovës tashmë e kanë kuptuar se janë manipuluar dhe përdorur si instrument politik nga Beogradi dhe Vuçiç, për interesa të ngushta të tyre.

Portali pro-rus Kosovo-Online funksionon në komunat veriore te Kosovës dhe ka orientime radikale ruso-serbe. Kryeredaktor i kësaj medie është Milos Garic, ish-punonjës i Sputnik Serbia, gjë që pasqyrohet qartë edhe në politikën redaktoriale pro-ruse dhe anti-perëndimore të kësaj medie.

Gjatë gjithë veprimtarisë së vet mediale Kosovo-Online ka shërbyer si faqe e propagandës dhe dezinformimit dhe njëherit si zëdhënëse e Qeverive të Serbisë dhe Rusisë dhe jo si media e pavarur.

Madje në përvjetorin e 23-të të Masakrës së Reçakut, me 15 janar, Kosovo-Online ka vazhduar ta mohojë Masakrën e Reçakut, për më tepër duke i dhënë hapësirë dhe promovuar kriminelin serb Goran Radosavlevic-Guri, i cili e quajti këtë masakër “aksion të ekzekutuar në formë të përsosur”.

Përndryshe, sot qytetarët serbë të Kosovës do të udhëtojnë për të votuar për referendumin serb në disa qytete në Serbi, pasi që institucionet e Republikës së Kosovës e kanë ndaluar mbajtjen e referendumit serb në Kosovës.