Politologu dhe atdhetari i shquar, Ukshin Hoti, vazhdon të jetë në mesin e mijëra shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare në Kosovë, u mbajt në burg nga pushtuesi serb deri më 16 maj të vitit 1999, ditën kur edhe u lirua.

Që nga dita e daljes nga burgu i Dubravës, nuk dihet më asgjë për fatin e tij.

Ai zyrtarisht u lirua në ditën e diel, gjë që është e pazakontë për procedurat e lirimit, prandaj edhe zhdukja e tij ndërlidhet kryekëput me forcat serbe që menaxhonin asokohe me burgun e Dubravës.

Nëse dita e lirimit rastis të bie në vikend, sipas praktikave të burgjeve, të burgosurit lirohen ose të premten ose të hënën.

Për zhdukjen e Ukshin Hotit ka pasur shumë debate, mirëpo deri më tash askush nuk ka dhënë përgjegjësi për zhdukjen e tij.

Ballkani.info ka arritur të sigurojë dokumente ekskluzive të përgjegjësve të burgut të Dubravës, të cilët drejtpërdrejtë janë të lidhur me zhdukjen e Ukshin Hotit.

Sipas këtyre dokumenteve, Aleksandar Rakoçeviq nga Peja, ka qenë Drejtor i Burgut në Dubravë, në kohën e lirimit të Hotit. Ndërsa, Branko Komatina, malazez nga Dobrusha e Istogut, ka qenë shef rojesh në Dubravë.

Vendimin për lirimin e Ukshin Hotit, të cilin e ka siguruar Ballkani.info, e ka nënshkruar Aleksandar Rakoçeviq.

Rakoçeviq dhe Komatina, sipas dokumenteve zyrtare, e kanë dërguar Ukshin Hotin deri tek dera e një veture “Zastava 101”, në të cilën kanë qenë dy punëtorë të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (SDB), të zyrës në Pejë.

Ata e kanë dërguar Ukshin Hotin në drejtim të panjohur.

Por, ajo që është befasuese ka të bëjë me faktin se Rakoçeviq dhe Komatina vazhdojnë të jenë zyrtarë të burgjeve në Serbi.

Ballkani.info sjellë edhe listën e personelit të Burgut të Dubravës në kohën kur Ukshin Hoti ishte liruar.

Në listën numër një janë emrat e Kovaçeviqit dhe Komatinës. Ndërsa, në listën e të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, në anën e djathtë, krejt poshtë, mund të shihet edhe emri i Ukshin Hotit që i kanë rënë vijë me stilolaps, pas gjoja lëshimit nga burgu.

Një person tjetër përgjegjës për zhdukjen e Ukshin Hotit është edhe Miroljub Vidiq, i njohur si Miki.

Sikur Rakoçeviq dhe Komatina, edhe Vidiq ka qenë zyrtar i lartë në Burgun e Dubravës, kurse tash vazhdon të punojë në Serbi. Ai është nga lagjja “Kapeshnicë” e Pejës.

Për zhdukjen e Ukshin Hotit përgjegjësi të drejtpërdrejtë kanë Aleksandar Rakoçeviq, Branko Komatina dhe Miroljub Vidiq-Miki, si dhe SDB-ja e Pejës.

Këta tre serbë që e kanë marrë në dorëzim dhe që vazhdojnë të punojnë ende pa ua prishur kush terezinë nëpër burgjet e Serbisë, e dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur me Ukshin Hotin. /Ballkani.info/