Ekskluzive: Emrat e paramilitarëve serbë që u paguan për krimet në Gjakovë (DOKUMENT)

Dje, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka miratuar me 7 vota pro dhe 2 abstenime projektligjin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për plotësim- ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, duke krijuar kështu mundësinë që personat që kanë kryer krime gjatë luftës të gjykohen në mungesë.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu tha se ky ndryshim-plotësim i Kodit të Procedurës Penale lejon gjykimin në mungesë.

“Bazuar edhe për padrejtësinë e madhe që është bërë pas luftës gjatë këtyre gati 20 viteve ne kemi konsideruar që duhet të procedojmë tutje me gjykimin në mungesë, ashtu siç e kanë të rregulluara edhe vendet tjera të Bashkimit Evropian. Ky projektligj ka për qëllim lejimin dhe akuzimin dhe gjykimin e të pandehurve në mungesë siç e thash edhe më parë duke respektuar standardet e së drejtës në gjykim të drejtë. Ajo çfarë është e rëndësishme është që ky projektligj aplikohet vetëm pasi që shteren të gjitha mundësitë që i parasheh Kodi i procedurës penale”, tha Haxhiu.

E ky projektligj që së shpejti pritet të miratohet në Kuvend, do të mundësojë që serbët e uniformuar që kanë bërë krime në Kosovë të gjykohen pa marrë parasysh në janë të pranishëm apo jo fizikisht.

Lidhur me këtë, ballkani.info e ka siguruar ekskluzivisht një listë me emrat e policëve serbë dhe malazezë që në mars dhe maj të vitit 1999 ishin pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) në Gjakovë.

Është e ditur botërisht se çfarë krime makabre janë kryer në Gjakovë gjatë kësaj periudhe.

Brenda dokumenteve mund të shihen edhe shumat e pagave që militarët serbë kanë marrë gjatë ditëve të kaluara në forntet e luftës në Dukagjin.

Poashtu, brenda dokumenteve shihen se keta persona i takonin njësive “PJP” (posebne jedinice policije – Njësitë Speciale të Policisë)

Këto njësi njihen edhe për krimet që janë bërë në Komunën e Gjakovës dhe më gjerë!

“PJP” paguhej për çdo orë dhe ditë që e kalonte në frontet e luftës.

Në dokumente mund të shihen edhe shifrat e të hollave në dinarë me të cilët bëhej pagesa!

Shumë nga këta emra mund të jenë serb dha malazez që kanë jetuar në Kosovë.