Kosova Bad News Eagles

Ekipi shqiptar Bad News Eagles ka shënuar fitore bindëse ndaj ish ekipit më të mirë në botë Astralis

Edhe pse dje u mposhtën me lehtësi nga ekipi NiP, ekipi shqiptar nga Kosova Bad News Eagles nuk po dinë të dorëzohet në turneun kualifikues për Majorin e CS:GO, tani me fitore bindëse ndaj ekipit danez Astralis.

Ndeshja e cila gjatë gjithë kohës u dominua nga ekipi shqiptar përfundoi me rezultat 16-3 në mapin ‘Ancient’.

Astralis të cilët renditen në vendin e tetë në ranglistën botërore, nuk patën as një mundësi që të rikthejnë lojën ndaj ekipit shqiptar.

Paraqitje fantastike treguan të gjithë lojtarët e ekipit shqiptar, ai më i dalluari ishte kapiteni i ekipit Dionis ‘sinnopsyy’ Budeci me 27 eliminime.

Tani pas kësaj fitore ekipit shqiptar i duhet edhe një fitore tjetër për t’u kualifikuar në Majorin e madh të CS:GO, i cili do të mbahet në Rio de Janeiro të Brazilit.

Ndeshjen e radhës ekipi shqiptar do ta zhvilloj nesër (e premte), dhe kundërshtari i tyre do të mësohet së shpejti./Telegrafi/