Ekipet e VV’së e LDK’së merren vesh për programin qeveritar, tash është radha e Kurtit e Mustafës

Avdullah Hoti nga LDK-ja ka folur pas takimet me grupet punuese në Vetëvendosje, derisa, ka shtuar se tashmë iu ka mbetur radha takimit të liderëve, raporton Gazeta Express.

Hoti ka thënë se janë dakorduar nëpër fushat për të cilat ishin paraparë bisedimet.

“Prej zhvillimit, ekonomik, arsimit shëndetësisë, kulturë, sport, politika sociale dhe për sa na përket neve kemi arritur t’I përmbyllim diskutimet tona, ne jemi të gatshëm këtë marrëveshje në formë të shkruar do ta dorëzojmë te kryetarët e partive që do të ulën, meniherë pas certifikimit të rezultateve për të konkretizuar dhe për formalizuar këtë marrëveshje”, tha ai.

Ai ka shtuar se nuk kanë biseduar për ndarje të posteve, pasi që kjo ju takon bisedimit në nivel të liderëve.

“Për aq sa ne jemi të mandatuar ne jemi dakorduar për madhësinë e qeverisë, për formën se si do të organizohen institucionet, pjesën programore, kjo është pjesa kryesore, tash ju përket liderëve për të biseduar. Nuk kisha me thanë problem, por në disa cështje ka pas vështrime të ndryshme, i kemi lënë të hapura do të diskutohen nga liderët. Ne nuk kemi diskutuar asnjëherë për asnjë post”, ka shtuar Hoti.