Ehat Miftaraj: Vendimi i GJK-së ka prapavijë politike me qëllim që ta dëmtojë Albin Kurtin

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë në rastin e vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi, në votimin e Qeverisë “Hoti”. Në këtë aktgjykim është edhe një pikë që i ndalon kujtdo që është i dënuar me vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit, që të garojë për deputet. Lidhur me këtë çështje, Ehat Miftaraj nga Instituti I Kosovës për Drejtësi, ka thënë që me publikimin e plotë të aktgjykimit, GjK’ja ka shtuar elemente shtesë që kanë argumentuar këtë pikë.

“Ka pasur elemente që e kanë plotësuar argumentin që personat që janë dënuar në tri vitet e fundit i kufizohet e drejta për të kandiduar në zgjedhjet e reja. Më ka bërë përshtypje një pjesë e vendimit që ka dal atëherë dhe për ata që i përcjellin aktgjykimet i bën përshtypje. Është një pjesë ku thuhet se Gjykata nuk flet asgjë kundër individëve të caktuar. Për një jurist kjo përbën skandal që gjykata tenton që të bind që nuk ka asgjë të caktuar kundër individëve”, ka thënë ai, në emisionin “Frontal”, në T7.

Ligjshmëria dhe integriteti, sipas Miftarajt janë dy elemente që Gjykata Kushtetuese i ka përfshirë në aktgjykimin e plotë për çështjen e deputetit Etem Arifi. “Nëse e shohim vendimin e fundit, Gjykata Kushtetuese duke e pare presionin publik ka dhënë elemente që bazohen në integritet, ligjshmëri e që janë bazat e një shteti ligjor dhe që aspiron të ketë vendosjen e ligjit. Përmes këtij vendimi i ndan të drejtat e qytetarit të thjeshtë dhe atyre që kërkojnë që të jenë pjesë e legjislativit”, ka thënë më tutje Miftaraj. Sipas tij, GjK’ja ka krijuar një standard që e dallon dënimin e qytetarëve të thjeshtë, me ata që duan të marrin pozita shtetërore. “Është e vërtetë që gjobat nuk kanë efekt juridik tek personat e thjeshtë por te ata që kërkojnë mandat po. Tek integriteti GJK’ja ka krijuar një standard që kushdo që është i gjykuar në 3 vitet e fundit me vendim të prerë , ai person e ul besimin e qytetarëve dhe të institucioneve nëse nesër merr pozitë ose bëhet pjesë e tempullit që përfaqëson qytetarët”, ka deklaruar ai.

Miftaraj theksoi se aktualisht në Kuvendin e Kosovës janë në rrënd dite për votim edhe disa Ligje që janë të rëndësishme për sistemin e drejtësisë. “Në Kuvendin e Kosovës tani janë ndër Ligjet më të rëndësishme që rregullojnë drejtësinë penale në Kosovë. Këta deputet nesër do ti diskutojnë këto ligje. Një person që është i dënuar si do ia fal besimin publikun”, ka thënë më tutje ai, në T7. Aktgjykimin e fundit të GjK’së, Miftaraj e ka parë edhe me mangësi të shumta. “Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ka mangësi të theksuara, që për mendimin tim nuk kanë pikë logjike juridike. Është kompetencë primare e GJK-‘së që me vlerësu vlefshmërinë ligjeve. Neni 45 i Kushtetutës njeh garanci të drejtën për tu zgjedhur dhe përjashtimisht kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm me vendim gjyqësor. GjK’ja ka dal përtej kësaj”, ka thënë më tutje ai. Sipas Miftarajt nuk është në rregull që dikush që akuzohet për një vepër penale, të gjykohet paradite dhe pasdite të zhvillojë takime me ndërkombëtarë.

“Ky vendim i prek vetëm 4-5 persona kryesisht të VV-së. GjK’ja nuk të cenoj garancinë kushtetuese për interesa të partive dhe kjo ka ndodhur në rastin konkret. Nuk është mirë që një ministër paradite të shkojë në gjykatë dhe pasdite të zhvillojë takime me të huaj, me ambasadorë. Problemi kryesor është me Qeverinë dhe me personat që kanë pozita të larta dhe që janë të akuzuar. Albin Kurti besoj që në ditët e sotme mund të bëj diçka që nuk e kanë bërë të tjerët dhe kjo është sundimi i ligjit. Albin Kurti dhe të tjetër mund që deri në shtator të humb disa vota, por fiton një sistem ligjor që kërkohet edhe nga ndërkombëtarët”, ka deklaruar më tutje Miftaraj.

Sipas hulumtuesit të IKD-së, aktgjykimi i Kushtetueses ka edhe prapavijë politike. “Jam i sigurt që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka prapavijë politike dhe me qëllim që ta dëmtojë Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Në këtë rast këta duhet që tri japin Kosovës atë që nuk ia ka dhënë askush, shtetin ligjor”, ka deklaruar ai.