Egjipti arreston gruan që bëri ëmbëlsira në formë të organeve gjenitale

Mediet lokale në Egjipt raportuan se një grua u mbajt për një kohë të shkurtër në ndalim policor pasi u akuzua se ka bërë ëmbëlsira të pahijshme.

Ëmbëlsirat që kishin si pjesë dekoruese figura në formë të organeve gjenitale dhe të brendshmeve, u shërbyen në një tubim për festimin e ditëlindjes në një klub sportiv në Kajro, shkruan BBC.

Pasi fotografitë e këtyre ëmbëlsirave u përhapën shumë në internet, gruaja që i përgatiti ato u ndalua dhe më vonë u lirua me dorëzani prej 319 dollarësh. Raportohet se ajo ka mohuar që i ka dekoruar ëmbëlsirat me figura seksuale.

Një organ i lartë fetar në Egjipt paralajmëroi se ëmbëlsirat me këto figura janë të ndaluara nga feja islame.

Raportohet se edhe disa gra të tjera, të cilat morën pjesë në festimin e ditëlindjes, janë duke u hetuar nga autoritetet, ndërsa Ministria e Rinisë dhe Sportit është duke e hetuar përfshirjen e klubit sportiv në këtë ndejë private.

Avokati i të drejtave të njeriut, Negad El Borai, tha se ky incident vërteton se është një segment i shoqërisë, me përkrahjen e shtetit, që dëshiron të eliminojë çdo hapësirë për liri personale në Egjipt me pretekstin e mbrojtjes së vlerave familjare të Egjiptit.