Efektet keqorientuese dhe dezinformuese të propagandës anti-NATO dhe anti-Kosovë

Shkruan: Dren Gërguri

“Intervenimi i NATO-s në luftën e Kosovës nuk ka qenë i drejtë”. Ky është narracioni që duan ta ndërtojnë propaganda ruse dhe ajo serbe. Kjo u ritheksua edhe nga Presidenti rus Putin kur përmendi intervenimin e NATO-s në luftën e Kosovës. Ndërtimi i këtij narracioni u bë edhe më aktual tani me situatën e luftës në Ukrainë. Nëpërmjet manipulimeve të ndryshme, propaganda ruso-serbe mëton që këtë narracion ta forcojë dhe ta manipulojë të vërtetën. Me këtë tematikë ndërlidhen pikërisht disa raste të dezinformimit, të paraqitura në shkrimet e mëherëshme, sikundër edhe në këtë shkrim të radhës.

Një shembull që do të sjell në këtë tekst tregon për një tjetër manipulim që, sërish, zanafillën e ka te lufta e Kosovës dhe intervenimi i NATO-s në mars të vitit 1999. Fëmija dyvjeçar shqiptar nga Kosova i vrarë nga ushtria serbe, paraqitet si viktimë e bombardimeve të NATO-s, në një tekst të publikuar në një ueb-faqe ruse.

Fotografia me mbishkrim të manipuluar 

Fotografia me mbishkrim të manipuluar

Për të dekonstruktuar këtë dezinformatë duhet të verifikojmë fotografinë dhe, me një kërkim në njërën nga platformat apo mjetet që mundësojnë verifikimin e fotografisë, ‘Google Lens’, ‘Yandex Images’ apo ‘TinEye’, e kuptojmë të vërtetën mbi atë fotografi. Në fotografi nuk është një fëmijë serb, kinse viktimë e bombardimeve të NATO-s, por në këtë fotografi të realizuar më 1998 nga fituesi i çmimit Pulitzer, Yannis Behrakis dhe publikuar nga Reuters-i është një prind shqiptar që e vë në arkivol trupin e fëmijës së tij të vrarë nga forcat serbe.

Verifikimi i fotografisë me TinEye 

Manipulime si ky nuk bëhen vetëm nga media apo vetëm nga diplomacia ruse. Një formë tjetër e shpërndarjes së dezinformatave bëhet edhe nëpërmjet kanaleve të tjera të komunikimit, qoftë nëpër faqet e mediave sociale, e, madje, edhe nga shkrimtarët. I tillë ishte rasti i manipulimit me kontekst në fotografinë e Mustafa Xajës.

Përshkrimi i manipuluar i fotografisë: “Viktimat e bombardimeve në Serbi në vitin 1999”

Fillimisht, në vitin 2012, një faqe në Facebook e ripublikon fotografinë e Reuters-it me mbëshkrimin, “viktimat e bombardimit të Serbisë më 1999”. Të njëjtën fotografi, dy vite më vonë e përdorë një shkrimtare moskovite, Miroshnichenko. E vërteta për këtë fotografi qëndron ndryshe nga çka proklamohet në këto dy përmbajtje mediale në gjuhën ruse. “Shqiptari, Mustafa Xaja, nga qyteti i Mitrovicës në Kosovë tregon fotografitë e dy fëmijëve të tij për të cilët ka frikë se janë vrarë nga serbët gjatë luftës në Kosovë, 1999”, thuhet në mbishkrimin e fotografisë së publikuar më 1999 nga Peter Turnley. Madje, vetë personazhi i fotografisë, e dëshmon këtë, 22 vjet më vonë, kur intervistohet në programin e mëngjesit në T7. Sikurse në rastin e fëmijës, edhe në këtë rast, fotografia është lehtë e verifikueshme me një nga platformat e lartpërmendura në këtë shkrim.

Paraqitja e rasteve si të tilla me mundësi të shpërdorimit të tanishëm apo të mëvonshëm nga diplomacia ruse apo serbe me efekt dezorientues dhe dezinformues është i dëmshëm, për të most thënë edhe I rrezikshëm për shtetin e Kosovës dhe për imazhin e saj. Veçanërisht e dëmshme dhe e rrezikshme është shtrirja dhe përhapja e këtyre dezinformatave në hapësira gjeografike ku nuk ka shumë njohuri për rastin e Kosovës, siç ishte rasti i mëhershëm me tweet-in në profilin zyrtar të Ambasadës Ruse në Afrikë të Jugut, kur kishte shpërndarë dezinformatë duke e paraqitur refugjaten shqiptare, si një të mbijetuar nga bombardimi i NATO-s. Këtë taktikë të dezinformimit, Joan Donovan, drejtore e kërkimit në Qendrën Shorenstein të Harvardit, e quan “luftë informative e shkallës së ulët”. Në valën e re të dezinformimit rus, pas situates së re të krijuar me luftimet për pushtimin e Ukrainës, emri i Kosovës mund të lakohet sërish dhe, prandaj, nga institucionet e Kosovës kërkohet mobilizim dhe reagim ndaj këtyre narracioneve dezinformuese dhe dezorientuese, përndryshe rrezikojmë të lejojmë të mjegullohet e të minohet e vërteta dhe të gëlojë mashtrimi e gënjeshtra.