Edi Rama pritje madhështore për mikun e tij Vuçiq dhe Zoran Zaevin në Tiranë VIDEO

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut janë pritur para pak çastesh në Tiranë nga kryeministri Edi Rama.

Vuçiq dhe Zaev do të qëndrojnë në Tiranë për të qenë të pranishëm dhe zhvilluar atë që njihet si takimi i “mini-shengenit ballkanik”.

Pas takimeve të zhvilluara në Novisad dhe Ohër, kësaj here Rama, Vuçiç dhe Zaev po takohen në Tiranë. Ndërkohë sot në orën 19:00, Rama së bashku me delegacionet pjesëmarrëse do të jenë të pranishëm në Parkun Olimpik.

Duhet thënë se Kosova e ka bojkotuar këtë nismë.

Mohimi i masakrës së Reçakut nga shteti i Serbisë ka bërë që në mesin e shumë arsyeve të tjera, partitë politike në Kosovë të kërkojnë nga Shqipëria një qasje tjetër ndaj Serbisë. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pasi i tha “jo” ftesës së Ramës deklaroi se derisa Serbia vazhdon të mohojë krimet e kryera ndaj qytetarëve të Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën si shtet, iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta.

Nga ana tjetër Lëvizja VV në Tiranë organizon një tubim në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.