Edi Rama në ditën kur Shqipëria nisi vaksinimin: Nuk i kemi doza për të gjithë, por nga këto që i kemi një pjesë do ja japim Kosovës

Shqipëria sot ka filluar vaksinimin, si vendi i dytë në rajon pas Serbisë, që e bënë këtë. Ai me këtë rast në një konferencë për media, ka bërë të ditur se pavarësisht se Shqipëria ende nuk ka mjaftueshëm doza të vaksinave për vete, një pjesë të tyre do ja japin Kosovës.

“Ne nuk jemi të fortë sikur Bashkimi Evropian, dhe nuk i kemi sot të gjitha dozat, që na duhen për të gjithë mjekët e Shqipërisë, por edhe po t’i kishim nuk mund t’i bëjmë në një ditë. Pra pavarësisht që nuk i kemi të gjitha që na duhen, ne nga këto që i kemi, një pjesë sa do të vogël, do ja çojmë Kosovës, se ne nuk jemi në kushtet që mund ta harrojmë që në radhë të parë jemi njerëz, dhe e para është solidariteti. Në këtë situatë besoj që e kemi bërë mirë, meqë vendet tjera, përjashto Serbinë, e cila ka vepruar në të njëjtën mënyrë nuk janë akoma në gjendje që të fillojnë dhe nuk ka qartësi se kur do të fillojnë. Por nuk kemi mundësi t’i ndihmojmë të gjitha”, ka thënë kryeministri Rama.

Ai ka thënë se Shqipëria jo vetëm se e ka për obligim të ja qajë hallin Kosovës, por është edhe natyrshëm e detyruar që edhe ta ndihmojë.

“Kosovën nuk do ta lëmë veç. Kosova është në Kovax, por nuk dihet se kur mund të fillojë me vaksinimin. Ne nuk ja zgjidhim dot hallin, por që të ja qajmë, jo që jemi të detyruar, por jemi shumë të natyrshëm që ta bëjmë këtë gjë”, ka thënë kryeministri Rama.