Gjatë takimit që po mbahet në qytetin e Pejës mes dy Kryeministrave shqiptarë, Kryeministri Edi Rama është shprehur pro deklaratave të Ministrit të Ekonomisë së Shqipërisë, i cili ditë më parë ishte shprehur se taksa 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia do të jetë i dëmshëm për dy ekonomitë.
“Ministri nuk ka se çfarë të pendohet për deklaratat e tij, ai ka folur në parim. Po ta shohim taksën nga një pikëpamje tjetër ajo dihet se është e dëmshme, por ishte e nevojshme. Taksa ishte politike, jo ekonomike dhe ishte e nevojshme për Serbinë e cila nuk lejon mallrat nga Kosova të lëvizin të lira në shtetin serb”, ka thënë Rama.
“Ministri Ahmetaj nuk është pendu, ai ka thënë në parim tarifat nuk janë të shëndetshme për ekonominë, por, nga ana tjetër ajo që thash edhe e përsëris ky nuk është vendim ekonomik. Këtë ta dëgjojnë Serbët dhe miqtë ndërkombëtar, është reagim politik ndaj një shteti fqinjë që shitet viktimë në raport me Kosovën që tjetër thotë dhe tjetër bën. Nuk mund të vazhdojë Kosova të pranojë që mallrat të jenë të palejuara të hyjnë në Serbi dhe mallrat e Serbisë të hyjnë në Kosovë me idenë se jemi ne tregti të lirë”, tha kryeministri Rama.
Në fund, ai ka thënë se ata që duhet të pendohen janë mediat për siç tha ai sulmet që i kanë bërë ministrit.
“Duhet të pendoheni ju për të gjithë sulmet e padrejta që i keni bërë ministrit, Ministri nuk ka pse të pendohet” përfundoi Rama. /Ballkani.info/







