Edi Rama – kandidat për shef të ri të NATO-s?

Shaka e kripur për 1 Prillin (të njohur ndryshe si Dita e gënjeshtrave) apo e vërtetë? Studiuesja e komunikimit Suzana Starikov ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është një kandidaturë e mundshme për t’u zgjedhur shefi i ri i NATO-s pasi Jens Stoltenberg të përfundojë mandatin.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Starikov ka theksuar se ky është një insistim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të ardhshëm të NATO-s mes anëtarëve të rinj të Aleancës.

“Edi Rama do të pasojë Jens Stoltenbergun në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Në veçanti thuhet se SHBA-ja po insiston në zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të ardhshëm të NATO-s, mes anëtarëve të rinj të NATO-s. Kandidatët e mundshëm kryeministrja e Estonisë, Katja Kalas dhe kryeministri Edi Rama. Kush do të jetë kryeministri i radhës?”, ka shkruar ndër tjerash ajo.

Nuk dihet nëse studiuesja gjermane ka informacione të sakta për këtë apo është ndonjë shaka për 1 prillin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg mori postin e kreut të NATO-s në tetor 2014 ndërsa mandati i tij aktual ishte paraparë deri në fund të shtatorit 2022. Stoltenberg është emëruar guvernator i ri i Bankës Qendrore të Norvegjisë (Norges Bank). Ai shërbeu si ministër i Financave i Norvegjisë nga viti 1996 deri në vitin 1997 si dhe dy herë si kryeministër nga viti 2000 deri në 2001 dhe nga 2005 deri më 2013. Por udhëheqësit e NATO-s ranë dakord pak ditë më parë të zgjasin mandatin e Jens Stoltenberg si sekretar i përgjithshëm për një vit shtesë, pasi aleanca ushtarake perëndimore vazhdon t’i përgjigjet pushtimit rus të Ukrainës.