Edhe sot qytetarët mund të testohen për koronavirus në sheshin “Zahir Pajaziti”

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se edhe sot do të bëjë testimin e qytetarëve për koronavirus, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Ky testim me metodën PCR po ndodh për të dytën ditë, pasi që edhe të martën u organizua testimi i tillë.

“IKSHPK njofton se testimi bëhet prej orës 09.30 deri ora 13.00 më datë 29 dhe 30 dhjetor 2020”, thuhej në njoftim.

“Instituti Kombëtari shëndetësisë publike, përkundër situatës epidemiologjike e cila ditëve të fundit ka shënuar rënie të rasteve po vazhdon me testimin dhe sensibilizimin e qytetarëve në parandalimin e COVID-19. Ekipet e IKSHPK po vazhdojnë hetimin epidemiologjik dhe gjurmimin e rasteve gjithandej vendit. Task Team i IKSHPK ka organizuar testime plotësuese në sheshin ‘Zahir Pajaziti’”, thuhet në njoftim.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 50.910 raste në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.325 raste të vdekjes.

IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 40.423 raste, kurse numri i rasteve aktive është 9.162.