Edhe partia e Kurtit e amniston Ivanoviqin për krimet ndaj shqiptarëve, nuk e përmend fare për masakrën e 3 dhe 4 shkurtit

Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar 23 vjetorin e masakrës dhe dëbimit të shqiptarëve nga Mitrovica. 3 dhe 4 shkurti kujtohen si dy data të tmerrshme për shqiptarët e Mitrovicës ku ish politikani serb, Oliver Ivanoviq dhe bandat e tij vranë 10 shqiptarë dhe dëbuan mijëra tjerë nga shtëpitë e tyre.

“23 vite më parë, 8 muaj pas përfundimit të luftës, në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, formacioni kriminal serb “Rojat e Urës” filloi aksionin për spastrimin etnik të veriut të Mitrovicës nga shqiptarët. Ngjarjet ndodhën para syve të pjesëtarëve francezë të KFOR-it. 10 shqiptarë u vranë. Më i riu 13 vjeç. Më e moshuara 65 vjeç. Mbi 100 të tjerë u torturuan e plagosën. 11,364 shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Të gjithë të pambrojtur nga askush. Mijëra shqiptarë ende nuk janë kthyer në shtëpitë dhe trojet e tyre”, shkruan Lëvizja Vetëvendosje, por duke mos e përmendur fare Oliver Ivanoviqin. E Ivanoviqi ishte udhëheqës aso kohe i “Rojave të Urës”, formacionit famëkeq serb, shkruan Demokracia.com.

Pikërisht për masakrën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 Ivanoviq ishte dënuar në shkallën e parë me 9 vjet burgim. Mirëpo, Apeli e ktheu këtë rast në rigjykim, mirëpo procesi gjyqësor nuk arriti të mbaj pasi që Ivanoviq u vra në veri të Mitrovicës në vitin 2018.

Në 5 vjetorin e vrasjes së Ivanoviqit, javë më parë, befasisht kryeministri Albin Kurti e lartësoi atë deri në hero gjë që nxiti shumë reagime si të familjeve të viktimave po ashtu edhe të opinionit publik.

“Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit”, thoshte Kurti më 16 janar, në pesë vjetorin e vrasjes së Ivanoviqit.

Partia e Kurtit në vitin 2016 e kishte akuzuar Ivanoviqin, të cilit sot s’ia përmend as emrin, si të angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi i Kosovës dhe spastrimi etnik.

Për vrasjen e tij akuzohen, Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq.