Edhe pak muaj i kanë mbetur Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e demarkacionit

Vetëm edhe katër muaj kohë i kanë mbetur Kosovës dhe Malit të Zi që të bëjnë shënimin e vijës kufitare mes tyre.

Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, e cila ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2018, përkufizon që të dyja shtetet të kryejnë punët e përcaktuara brenda dy vjetësh.

Por, me gjithë punën e bërë në terren nga Komisioni për Shënjimin e Kufirit, asnjëra prej dy qeverive nuk kanë hedhur ende hapat e parë në drejtim të zbatimit të marrëveshjes mes tyre.

Në një përgjigje për KTV-në, Ministria e Brendshme e Malit të Zi shprehet optimiste në zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur.

“Marrëveshja për Kufirin Shtetëror midis Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës u nënshkrua në Vjenë më 26 gusht 2015. Marrëveshja u ratifikua në Kuvendin e Malit të Zi më 28 dhjetor 2015, dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 30 maj, dhe hyri në fuqi më 4 qershor 2018. Në bazë të Marrëveshjes së lidhur, komisionet e Malit të Zi dhe Republika e Kosovës janë të detyruara të shënojnë kufirin shtetëror të përcaktuar me Marrëveshje brenda dy vjetëve nga hyrja në fuqi e tij. Më 9 korrik 2018, Ministria e Brendshme dërgoi një iniciativë në Republikën e Kosovës për të organizuar një takim të komisioneve shtetërore të kufijve të Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës me qëllim të zbatimit të Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror, në përputhje me dispozitat e nenit 4 të Marrëveshjes në fjalë. Ne besojmë se komisionet e Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës do të kontribuojnë në zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Malit të Zi.

Në anën tjetër, anëtarë të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit janë në pritje të një takimi me kryeministrin Albin Kurti, për të parë se cili do të jetë epilogu që kreu i ri i Qeverisë do t’i japë kësaj çështjeje.

Florim Isufi nga ky komision ka bërë të ditur se një ditë para se Ramush Haradinaj të japë dorëheqje, ai së bashku me anëtarët e tjerë kanë pasur takim, në të cilin, sipas Isufit, janë diskutuar deri në detaje çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Megjithëkëtë, Isufi thekson se deklarata e nënshkruar mes dy presidentëve e ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend ka vështirësuar edhe më shumë zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Lidhur me takimin e fundit si kryeministër me Komisionin për Kufirin, Kohavisioni, ka më shumë se një javë që ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga Haradinaj.

Mirëpo një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur për, siç është thënë nga zyrtarë të Zyrës së tij, shkak të agjendës së ngarkuar të ish-kryeministrit.

Kohavisioni ka dërguar pyetje për këtë çështje që nga 19 shkurti edhe në Zyrën e Kryeministrit, Albin Kurti, por nuk ka marrë asnjë lloj përgjigjeje në interesimin e televizionit.

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi është miratuar në Kuvend, në mars të 2018-s, pas një varg ndërprerjes si pasojë e gjuajtjes me gaz lotsjellës nga partia në atë kohë opozitare, Vetëvendosje.