Edhe pak ditë mbyllet konkursi për kryeprokurorin e Speciales, kush e zëvendëson Jack Smithin?

Jack Smith tashmë edhe zyrtarisht e ka filluar punën për hetimin e ish-presidentit të Amerikës, Donald Trump. Megjithatë, vendi që mbeti i zbrazët në Dhomat e Specializuara të Hagës pas largimit të tij, ende po udhëhiqet nga një ushtrues detyre. Kur kanë kaluar gati dy muaj nga dorëheqja e Jack Smith nga pozita e kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, konkursi tashmë është hapur për ta zëvendësuar.

Misioni i BE-së për sundim të ligjit, EULEX, ka bërë të ditur për gazetën Nacionale se afati për aplikim për pozitën e Prokurorit të Specializuar është deri më 23 janar. Kujtojmë se pikërisht shefi i EULEX-it në Kosovë ka detyrën e emërimit të Prokurorit, pasi është autoritet emërues sipas ligjit të Dhomave të Specializuara.

“Po, shefi i misionit të EULEX-it është autoritet emërues për Prokurorin e Specializuar. Procesi për përzgjedhjen e Prokurorit është duke vazhduar. Afati i fundit për aplikim është deri më 23 janar në orën 17:00, sipas kohës së Brukselit”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Megjithatë, asnjë detaj rreth procedurave deri më tash nuk janë bërë të ditura për publikun. Ajo që dihet është se ushtrues i detyrës së prokurorit të specializuar, aktualisht është francezi Alex Whiting.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në një përgjigje për gazetën Nacionale ka thënë se ende nuk ka ndonjë emër për zëvendësimin e Jack Smith. Megjithatë, ata kanë theksuar se kjo situatë nuk e pengon punën e Gjykatës Speciale me seli në Hagë.

“Nuk e di se kush do të zëvendësojë Jack Smith si prokuror të specializuar. Në lidhje me procesin e përzgjedhjes, i cili nuk organizohet nga Prokuroria e Specializuar, neni përkatës i Ligjit për Dhomat e Specializuara i cili thotë: “Nëse Prokurori i Specializuar liron pozicionin e tij në çdo kohë, një zëvendësim. do të emërohet nga Autoriteti Emërues pas shqyrtimit të aplikantëve të kualifikuar siç duhet. Prokurori i Specializuar duhet të jetë me karakter të lartë moral dhe të ketë kompetencën dhe përvojën më të lartë në zhvillimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale të çështjeve penale.”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Sipas tyre, Prokuroria po udhëhiqet nga një Ushtrues Detyre, dhe aktualisht nuk ka asnjë pengesë në punë.

Jack Smith dha dorëheqje nga pozita e Kryeprokurorit të Speciales më 18 nëntor 2022. Kjo në prag të nisjes së gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dhe vetëm pak muaj pasi e mori edhe një mandat të dytë.

Si u largua Jack Smith?
Më 18 nëntor të vitit 2022, Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një komunikatë për media. Aty kishin përcaktuar emrin e personit që do ta mbikëqyrte hetimin lidhur me mbajtjen e dokumenteve të kalsifikuara nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

E emri që do ta hetonte Trumpi, ishte personi që në atë kohë po hetonte udhëheqësit e luftës në Kosovë. Jack Smith, Kryeprokuror i Gjykatës Speciale me seli në Hagë.

Ai e la pozitën e Kryeprokurorit pak kohë para se të fillojë gjykimi të cilin Smith e cilësonte si rastin më të rëndësishëm. Ai i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

“Prokurori i posaçëm, Smith ka dhënë dorëheqjen si kryeprokuror i gjykatës speciale në Hagë, i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë” – thuhej në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Tashmë Jack Smith, raportohet ta ketë nisur edhe zyrtarisht punën e tij për të mbikëqyrur hetimet në rastin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Jack Smithit i ishte vazhduar mandati në maj të këtij viti, duke u bërë Kryeprokurori i parë që e merrte mandatin e dytë. Por që edhe ky, nuk arriti ta dërgojë deri në fund këtë mandat.

Pak ditë pas largimit të Smith nga pozita e Kryeprokurorit, në vendin e tij u emërua si ushtrues detyres Alex Whiting. Ky i fundit nuk dihet se deri kur do ta mbajë këtë pozitë, megjithatë ajo që dihet është se barrën kryesore të hetimeve do ta ketë pikërisht Whiting që deri më tash ishte shef i hetimeve.

Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së tashmë ka kaluar te trupi gjykues, dhe procesi pritet të fillojë më 1 mars 2023 me deklaratat hyrëse.

Largimet nga Gjykata Speciale
Largimi i Jack Smith nga pozita e Kryeprokurorit ishte vetëm dorëheqja e radhës. Disa largime ndër vite e karakterizuan punën e Gjykatës Speciale. Në mesin e tyre kishte prokurorë e gjyqtarë. Madje edhe vetë aktualisht U.D Kryeprokurori, Alex Whiting, kishte planifikuar të largohej. Megjithatë, ai nuk arriti të dilte i pari në një konkurs të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Gjatë këtij viti përveç Smith, dorëheqje dha edhe një gjyqtar. Mihael Bolander me përvojë, njëherësh pjesë e paneleve të Gjykatës Supreme në Hagë, u tërhoq nga puna e tij e deritashme. Kjo u tha se ishte për krejtësisht arsye personale.

“Sot, gjykatësi Mihael Bolander i dorëzoi Kryetares Ekaterina Trendafilova dorëheqjen e tij si gjykatës në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK). Gjykatësi Bolander, i cili dha dorëheqje për arsye personale, deklaroi se ndihej i nderuar që kishte shërbyer si gjykatës i DHSK-së”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Njëra nga dorëheqjet më enigmatike nga Dhomat e Specializuara të Hagës do të ishte largimi i Kryeprokurorit të parë, David Schwendiman. Ky i fundit kur u largua, kishte thënë se këtë e ka bërë me kërkesën e institucioneve amerikane. Por këtë arsyetim, nuk e tha edhe disa muaj pas largimit.

“Kjo duhet të ndodhë sepse administrata amerikane nuk mund të bëjë përjashtim për statusin tim si pensionist i rimarrë në shërbim, diçka që ligji nuk më lejon të ndryshoj, pavarësisht nga sa shumë mund të dëshiroj të qëndroj,” thuhej në deklaratën e David Schwendiman.

Ambasada amerikane largimin e Schëendimanit e kishte vlerësuar si ndryshim rutinor. Megjithatë, pas largimit të tij, Schwendiman e kishte kritikuar Departamentin e Shtetit për largimin e tij nga pozita më e rëndësishme e Gjykatës Speciale.

Schwendiman kishte deklaruar se kishte imponuar standarde të larta për të ngritur aktakuzë. Ai kishte rrëfyer se për një gjë të tillë duhet dëshmi të mjaftueshme, duke nënkuptuar se ai kishte refuzuar të ecte përpara me ngritjen e një aktakuze.

“Bazuar në praktikat profesionale më të mira kam shtuar disa kritere që t’i përdorim për të vendosur nëse duhet të ngrihen aktakuza që aktakuza e propozuar të mbështetet nga prova që janë të disponueshme për t’u paraqitur gjatë gjykimit dhe provat të cilat, pasi të jenë ekzaminuar nga një mbrojtje e mirëinformuar e përgjegjshme dhe e fuqishme me gjasë të jenë të mjaftueshme në nivelin sasior dhe cilësor që të çojnë në vendim të fajësisë të konfirmueshme edhe në fazën e apelin në lidhje me çdo të akuzuar dhe akuzë të propozuar”, kishte deklaruar David Schwendiman.

Pasues i David Schwendiman si Prokuror i Specializuar për pak kohë, do të ishte Kwai Hong Ip. Ai u emërua në këtë detyurë, derisa të njëjtën pozitë e mori me mandat të plotë Jack Smith, Kryeprokurori aktual i Specializuar.

Megjithatë, Kwai Hong Ip pozitën e zv/prokurorit të specializuar do ta linte të zbrazët pas dorëheqjes në muajin shtator të vitit 2020. Dorëheqja erdhi pak ditë pasi krerët e veteranëve të Kosovës, kishin publikuar dosje me mijëra faqe materiale të Prokurorisë së Specializuar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ishte dëmtuar, edhe me largimin e një prej prokurorëve të rëndësishëm si David Harpbach. Muaj më parë ai braktisi Gjykatën Speciale, për t’u bërë avokat në një zyrë në Amerikë.

Në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, nuk specifikohet nëse ky prokuror është zëvendësuar.