LVV

Edhe një tjetër paralajmëron largimin| Këta janë deputetët e LVV-së që braktisën partinë

Fitorja me mbi 50 për qind në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021, ia siguroi Lëvizjes Vetëvendosje saktësisht 58 deputetë. Megjithatë nga 58 sa i kishte, Grupi i Parlamentar i LVV-së, tashme numëron 55. Derisa ky numër pritet të zvogëlohet akoma.

Dy deputetët e LVV-së, Haki Abazi dhe Fatmir Humolli u larguan nga kjo parti vitin e kaluar, derisa largimin tashme po e paralajmëron edhe deputeti tjetër, Fitim Uka, shkruan Ballkani.info.

Për dy vite qeverisje, Lëvizja Vetëvendosje humbi tre deputetë nga grupi i vet parlamentar. Doarsa Kica-Xhelili e Listës GUXO, Haki Abazi e Fatmir Humolli janë tre deputetët që nuk janë më pjesë e VV-së në Kuvendin e Kosovës

Në anën tjetër, deputeti i kësaj partie, Fitim Uka, gjatë ditës së djeshme ka thënë se nuk do të kandidojë më për deputet.

“Kam thënë që është protestë, sepse kështu di të protestoj. Nuk kandidoj më për deputet”, ka thënë Uka.

Tutje ai ka thënë se heshtja e tij është protestë.

“Kur zëri im është “pengesë”, heshtja ime është protestë! Kur më shumë ka vlerë forma se sa përmbajtja, e më e çmueshme është sekuenca se sa procesi… ndodhë edhe kjo”, ka shkruar ai, duke bashkëngjitur fotografinë me gojë të mbyllur.

Pos tyre, janë edhe dy deputetë “rebelë” – Eman Rrahmani dhe Visar Korenica të cilët i kanë shprehur publikisht qëndrimet e tyre disa herë kundër qeverisë dhe udhëheqjes së partisë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit kryetar i LVV-së.

Derisa, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ne Teve1, ka deklaruar se tetë deputetët të partisë në pushtet, Vetëvendosje pritet të largohen dhe ta formojnë një subjekt të ri politik, teksa ka shtuar se kjo do të jetë një prej arsyeve kryesore që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme, pasi siç tha ai, partisë së kryeministrit Kurti, do t’i bie pushteti. /Ballkani.info/