E katërta

Edhe një protestë madheshtore në Beograd kundër regjimit të Vuçiqit (FOTO/VIDEO)

Sonte në Beograd është mbajtur protesta e katërt me moton “Një nga pesë milionë”, kundër dhunës policore dhe shtetërore të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.

Protesuesit, me dhjetëra mijëra, protestën e radhës e kanë paralajmëruar më 5 janar.

Protesta ka filluar në Sheshin e Studentëve, ku të pranishmëve u është drejtuar aktori Branisllav Trifunoviq, pastaj edhe gazetarët Sërgjan Shkoro dhe Desimir Stojanov, banorët e fshatit Rakita, në të cilin po ndërtohet një hidrocentral, ndërsa banorët janë kundër, transmeton Ballkani.info.

Pas mbajtjes së fjalimeve, mijëra protestues, janë nisur drejt rrugëve “Vasin”, “Makedonska”, “Svetogore”, etj.

Trifunoviq ka thënë se që nga sonte, përveç kërkesave të deritashme, kërkohet edhe dorëheqja e ministrit të Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, sepse i “numëron” sa njerëz janë në protestë, në vend që t’i merret me numrin e vrasjeve në qytet dhe vend.

Ai i ka dërguar mesazh mbështetës babait të tinejxherit të vrarë në Banjallukë, Davor Dragiçeviqit.

Trifunoviq ka thënë edhe se pjesëmarrësit në protestë, nëse dikush i pyetu kush e organizon mitingun, duhet të thonë se ai është presidenti i Serbisë, sepse, thotë ai, “po mos të ishte ai, neve nuk do të ishim kaq shumë, nuk do të dinim se kundër kujt të luftonim”. /Ballkani.info/