Komuna e Prishtinës

Edhe një operator ekonomik i shkëputet kontrata, Rama kërkon të tregohen profesionistë në punë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se i ka shkëputur kontratën edhe një operatori ekonomik, pasi është “treguar i papërgjegjshëm”.

Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka treguar se operatori ekonomik nuk është përmbajtur kontratës për renovimin e Sh.F.M.U “Gjergj Fishta”, raporton Ballkani.info.

“S’ka tolerime për mospunë!  Sot i kemi shkëputur kontratën edhe një operatori ekonomik i cili është treguar i papërgjegjshëm. Ky operator nuk u është përmbajtur kushteve të kontratës. Bëhet fjalë për renovimin e Sh.F.M.U “Gjergj Fishta”, në të cilën operatori ekonomik ka punuar me material jo të duhur në shtrimin e dyshemesë”, ka shkruar ai.

I pari i Prishtinës ka kërkuar nga operatorët ekonomik të jenë të përgjegjshëm.

“Lusim operatorët ekonomikë që të jenë të përgjegjshëm, bashkëpunues dhe të tregohen profesionistë në punë.  Nuk do të tolerojmë asnjë kompani të papërgjegjshme”, ka shkruar Rama.

Rama është zotuar se “Do të vazhdojmë të sigurojmë cilësi e standard të ri të ndërtimit në rrugëtimin tonë të transformimit të Kryeqytetit”, ka shkruar ai./Ballkani.info

Postimi i plotë: