Edhe një restorant tjetër në Prishtinë nuk e ka përfillur vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e restoranteve dhe kafeterive.

Nga një person është dërguar foto në adresë të redaksisë, ku shihet se restoranti në fjalë është i mbushur me njerëz, anipse qeveria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të konfirmimit të rasteve të reja të infektuara me virusin vdekjeprurës korona.

Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja gjatë tërë kohës kanë apeluar te qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin jasht, veç në raste urgjente, por si duket qytetarët në Prishtinë nuk po i përfillin këshillat.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 13 mars, ka marrë vendim që të mbyllen të gjitha kafeteritë, restorantet dhe qendrat tregtare, por ky vendim gjatë ditës së sotme, vetëm në Prishtinë, është “shkelur” nga dy restorante.

Ndryshe, në Kosovë deri tani janë konfimuar 15 raste të infektuara me koronavirus.