Edhe një fakt që arsyetimi i Abdixhikut për të mos e takuar Begajn nuk qëndron, Ramën e takoi në kafene

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku refuzoi takimin me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn, pasi i mbeti hatri që ai nuk shkoi në selinë e partisë, por e ftoi atë të takohen në Kuvend.

Tre muaj më parë, në maj, Abdixhiku e kishte takuar presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Për të, kishte shkuar në një hotel në Prishtinë.

Për këtë takim, LDK-ja në një përgjigje për Express u arsyetua se vendtakimi me Gjukanoviqin kishte qenë “kërkesë specifike” e presidentit malazez “për arsye sigurie”. Megjithatë Abdixhiku nuk e kishte takuar në seli të partisë as kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Si për të dëshmuar tash që arsyetimi i LDK-së nuk qëndron, Abdixhiku e kishte nisur ditën e 20 qershorit në një kafane me Ramën.

“Kafen e mëngjesit e pimë bashkë në Prishtinë; afër Sheshit Skënderbeu. Kosova dhe Shqipëria kanë të ardhme të mirë kur trajtojnë hapur e afër çdo temë e rrugëtim”, shkruante Abdixhiku në Facebook.