Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar në Paris me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Për këtë takim, Thaçi ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter, ku i ka publikuar edhe disa fotografi me Putinin.
Ashtu siç pritej, mediat serbe e kanë publikuar lajmin për këtë takim, të parin ndërmjet dy liderëve dhe të parin ndërmjet një presidenti të Kosovës dhe një të Rusisë.
Megjithatë, mediat serbe janë munduar ta minimizojë rëndësinë e takimit, duke raportuar se agjencia e lajmeve ruse, Tas, nuk ka lëshuar asnjë njoftim për takimin, transmeton Ballkani.info.

“Twittin e Thaçit e ka transmetuar agjencia ruse e lajmeve Tas, me paralajmërimin se ‘Kremlini nuk ka lëshuar kurrëfar njoftimi për këtë takim”, shkruan tanjugu serb, lajm ky që është përcjellë më pas nga të gjitha mediat serbe.
“Presidenti Putin ka qenë i qartë. Nëse arrijmë marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështetë”, citojnë mediat serbe postimin e Thaçit në Facebook.
Tutje ato thonë se përveç postimit, Thaçi i ka publikuar edhe disa fotografi, përfshirë edhe fotografi gjatë shtrengimit të duarve me Putinin.
Më pas, tanjug dhe mediat tjera, shkruajnë për shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ku Thaçi ishte ulur menjëherë pas Putinit.
Kjo bëri që dje mediat serbe ta quajnë ‘skandal’ fakti se Thaçi ishte në radhe me liderët kryesorë botërorë, ndërsa presidenti serbe, Aleksandar Vuçiq ishte vendosur në një “qoshe”. /Ballkani.info/







