Prokuroria Speciale

Edhe në rigjykim, Prokuroria kërkon dënimin e ish-zyrtarit të MTI-së

Në rigjykimin ndaj ish-zyrtarit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Xhemajl Syla, Prokuroria Speciale në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënimin e tij, kurse mbrojtja e të akuzuarit kërkoi lirim nga akuza.

Syla po akuzohet se si udhëheqës i Divizionit për Mbështetje të Bizneseve dhe Zhvillimeve Regjionale në MTI, ka keqpërdorur informacione zyrtare me qëllim të përfitimit të përparësisë për kompaninë “Management Development Association”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori special Ilir Morina gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari Syla ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë dhe kërkoi që të shpallet fajtor e të dënohet sipas ligjit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Sylës, avokati Mahmut Halimi deklaroi se qëndron pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor, duke i propozuar gjykatës që pas vlerësimit të provave, të nxjerrë aktgjykim lirues për të akuzuarin.

Paraprakisht, në këtë seancë vazhdoi dëshminë e tij, dëshmitari Zijadin Isaku, zyrtar policor, e cila dëshmi i kishte mbetur në gjysmë në seancën e 24 nëntorit 2023.

Isaku tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë më herët, duke shtuar se sipas përvojës së tij kishte pasur raste që në bazë të ekspertizës është identifikuar dërguesi dhe autori i shkresave përmes pajisjeve elektronike.

Në këtë seancë, po ashtu u dëgjua edhe eksperti i IT-së, Sabri Syla, i cili tha se një e-mail kur dërgohet përmban datën dhe orën e cila ishte koka dhe pasi që hapet përmban një faqe të dhënash, ku mund të identifikohet burimi dhe destinacioni i e-mailit.

Po ashtu, eksperti Syla tha ekzistonte mundësia e ndërhyrjeve në tekstet e krijuara në formatin PDF, duke shtuar se ai nuk kishte bërë asnjëherë identifikim të ndërhyrjes në atë format, si ekspert, pasi që ishte licencuar si ekspert që një periudhë të shkurtër.

Gjithashtu, në këtë seancë u bë edhe administrimi i provave materiale, ku avokati Halimi kishte vërejtje në provat e Prokurorisë ndërsa prokurori Morina nuk pati vëretjeje në provat e administruara.

Në anën tjetër, i akuzuari Syla tha se qëndron pranë mbrojtjes së dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Më pas, shqyrtimi gjyqësor u shpall i përfunduar dhe lidhur me këtë çështje penale pritet të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Ndryshe, më 21 korrik 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Xhemajl Sylës, ish-zyrtar i MTI-së, duke e dënuar me 5 mijë euro gjobë dhe 2 vite burgim me kusht .

Kurse, më 23 janar 2023, PSRK kishte kërkuar nga Apeli dënim me burgim efektiv për të akuzuarin Syla, kurse mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij ose rigjykim.

Ndërsa, më 27 shkurt 2023, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Syla, avokatit Mahmut Halimi, duke e kthyer lëndën në rigjykim, me arsyetimin se Apeli ka gjetur se aktgjykimi i Themelores është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës dhe se shkeljet e tilla janë të natyrës absolute që kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit.

Ndryshe, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Luan Dalipi, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, por që kjo aktakuzë ishte ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 korrik 2017, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes së Xhemajl Sylës dhe Luan Dalipit për hudhjen aktakuzës dhe kundërshtimin e provave. Ndaj këtij aktvendimi, mbrojtja parashtruar ankesa në Gjykatën e Apelit.

Kurse, më 25 korrik 2017, Apeli e kishte refuzuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Xhemajl Syla, ndërsa e kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të Luan Dalipit, me arsyetimin se ndaj Dalipit, nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i njëjti e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Pas kësaj, edhe Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur kundër aktvendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xhemajl Syla akuzohet se më 5 dhjetor 2018, si udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.

Ai akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet.

BONUS VIDEO: Vizita e kryeministrit irlandez në Kosovë, Varadkar kërkon të hiqen sanksionet e BE-së