Edhe Ministria e Kulturës kishte kërkuar ridestinimin e mjeteve të sallës koncertale
Ministria e Kulturës, ndërtesën e ish-Gërmisë e kishte futur në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, në kohën kur debati që në atë vend të ndërtohej salla koncertale kishte marrë hov.

Si pasojë e veprimit të MKRS-së, pas kërkesave që kishte marrë nga komuniteti i arkitektëve, ndërtesa që i takon rrymës së modernizmit në arkitekturë nuk mund të rrënohej. Pos këtij veprimi që MKRS-ja vazhdimisht e ka arsyetuar se po mbron trashëgiminë kulturore, vetë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, kishte shkuar edhe më tej. Edhe ai kishte kërkuar ridestinim të mjeteve të zotuara për sallë.

“Ne kemi kërkuar që fondin ta ridestinojmë për projektin e teatrit të operës dhe baletit. Unë kam komunikuar me Ministrinë e Integrimeve, por me sa di kërkesa jonë ka shkuar edhe te BE-ja”, i ka thënë të enjten Kohës Ditore, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. Sa i përket asaj se si e komenton faktin që shteti nuk ka mundur të sigurojë as mjetet e një donacioni për sallë koncertale, ai ka thënë se MKRS-ja nuk ka pasur projekt për një sallë të tillë.

“Donacioni nuk ka qenë për MKRS-në dhe po ashtu nuk bëjmë kompromise kur janë në pyetje monumentet dhe zbatimi i ligjit”, ka thënë Gashi. Në këtë rast i është referuar faktit që ish-ndërtesa e “Gërmisë” është pronë e trashëgimisë kulturore. Sipas Gashit, sikur Komuna e Prishtinës ta kishte përnjëmendur çështjen e sallës së koncerteve do të ofronte si propozim ndonjë tjetër lokacion e jo vetëm atë ku është ish-ndërtesa e “Gërmisë”.

Por fakti që një ministër, që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, ia ka dhënë statusin e monumentit ndërtesës që është afër Qeverisë, pastaj një tjetër ministre e PDK-së i ka shkruar Komisionit Evropian duke propozuar ridestinim të fondeve e një tjetër ministër i PDK-së, Uran Ismaili, tashmë është duke punuar në terren si kandidat për kryetar të Prishtinës, për kryetarin aktual Shpend Ahmeti është një lojë politike.

“Mospajtimi i PDK-së nuk është problem ligjor. Komuna e Prishtinës e ka të drejtën e caktimit të lokacioneve në Prishtine. Qeveria e ka shpronësuar ‘Gërminë’ për interesa të Komunës. Pra ai lokacion tashmë është në dispozicion të Prishtinës. Trashëgimia kulturore respektohet sipas kërkesave të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe këtë e kemi pasur në konkursin tonë që do të shpallej”, ka thënë kryetari Ahmeti. Ai ka thënë se nuk e kupton se si betejat partiake mund ta dëmtojnë interesin e qytetarëve.

“Pra, për të bërë fushatë me luftu një projekt që në fund është i Prishtinës e jo i imi”, ka thënë ai.

Më 4 korrik, Koha Ditore i kishte shkruar Zyrës së kryeministrit Ramush Haradinaj. Zëdhënësja Donjeta Gashi kishte thënë se Qeveria ka kryer punën e saj e Komuna e ka marrë përsipër pjesën tjetër. Sa i përket letrës së ministres Hoxha, ajo fillimisht ka thënë që të pyetet vetë Hoxha e më vonë ka thënë se nuk është në dijeni të letrës. E njëjta ridestinimin e mjeteve nuk e ka komentuar as të enjten, ani pse letra që e ka dërguar ministrja Hoxha në Këshillin e Evropës i është adresuar edhe shefit të saj.