Edhe LDK-ja pranon ftesën e Kurtit për takim, por kërkojnë sqarim për temat që do të diskutohen

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për takim të premten.

Burime të Demokracia.com në LDK kanë bërë të ditur se edhe nga kjo parti i kanë kërkuar sqarime kryeministrit Kurti se cila do të jetë agjenda e takimit.

“Po e kemi pranuar ftesën por ende nuk kemi vendosur. I kemi kërkuar sqarim se cila do të jenë temat që do të diskutohen në takim. Pasi t’i dimë temat e takimi do të dalim me qëndrim”, ka thënë ky burim.

Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se kanë pranuar ftesë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ftuar në takim kreun e kësaj partie, Memli Krasniqi.

Në një përgjigje për Demokracia.com nga PDK kanë thënë se ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në takim, meqë sipas tyre nuk është specifikuar tema dhe agjenda e takimit, dhe për këtë ata do të kërkojnë informacione të sakta nga Zyra e Kryeministrit.

“Para pak minutash kemi pranuar një e-mail nga Kabineti i Kryeministrit, nëpërmjet të cilit është ftuar kryetari i PDK-së Memli Krasniqi për takim të përbashkët me krerët e subjekteve opozitare dhe kryeministrin. Por, në këtë e-mail nuk është specifikuar tema dhe agjenda takimit. Pasi të marrim informacione të sakta nga Zyra e Kryeministrit për qëllimin dhe agjendën zyrtare të takimit, kyetari do të vendosë se a do të merr pjesë në këtë takim apo jo”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Komunikimit të PDK-së.

Ftesën deri më tani e ka pranuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.