Edhe LDK-ja merr mbështetjen gjermane për liberalizim të vizave

Pas disa konfirmimeve nga zyrtarë të lartë shtetërorë gjermanë, e ndër më të fundit ishte edhe “PO”-ja e Ministrit të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer pas një takimi që kishte zhvilluar muajin e kaluar me kryeministrin Ramush Haradinaj, edhe deputetë të LDK-së kanë marrë mbështetjen e këtij shteti për liberalizim sa më të shpejtë të vizave për kosovarët.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media të lëshuar nga LDK-ja, ku thuhet se deputetët e GP LDK-së, Lirije Kajtazi dhe Armend Zemaj, gjatë një qëndrimi në Berlin, kanë kërkuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të CDU-së, Ralph Brinkhaus dhe deputetë të Bundestagut Gjerman mbështetjen për liberalizim të vizave.

“Lidhur me këtë, deputetë të CDU-së thanë se ekziston vullneti i tyre që lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës të ndodhë sa më shpejt. Ata po ashtu shprehën besimin e tyre në punën, përkushtimin dhe përvojën e LDK-së që Kosova të avancojë në konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të saj”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e LDK-së, raporton Koha.net.

Deputetët e LDK-së, Lirije Kajtazi dhe Armend Zemaj, kanë qëndruar për vizitë dy ditore në Berlin, ku përveç pjesëmarrjes në konferencën e organizuar nga KAS dhe CDU lidhur me rolin e deputetëve në bashkëpunimin rajonal, kanë takuar edhe kryetarin e GP të CDU-së, Ralph Brinkhaus dhe deputetë të Bundestagut, ku deputetët e LDK-së u zotuan se “prioritet i LDK-së do të jetë ndryshimi përmbajtësor i qeverisjes në vend, me theks të veçantë tek sundimi i rendit dhe ligjit dhe reformat për integrimet evropiane”.