Edhe kundërkandidati i Vjosa Osmanit për President ka qenë në LDK, e braktisi në vitin 2007

Nasuf Bejta, deputeti që po e ‘sfidon’ Vjosa Osmanin për pozitën e shefit të shtetit, deri në vitin 2007, gjithashtu, kishte qenë anëtar i LDK-së.

Bejta, një inxhinier nga Vushtrria, me përvojë në arsim, në zgjedhjet e fundit iu bashkua listës ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit, gjithashtu një ish-anëtare dhe figurë e LDK-së, që u përjashtua nga organet e partisë vitin e shkuar, shkruan Reporteri.net. Rrjedhimisht, të dy garuan në një listë zgjedhore me Vetëvendosjen e Kryeministrit Albin Kurti, që fitoi mbi 50% të votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.

Në biografinë e kandidati për President, të publikuar tek hapësira e deputetëve, në faqen zyrtare të LVV-së, shkruan se deputeti Bejta “është njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i kuvendit të nëndegës Smrekonicë, anëtar i kryesisë qendrore nga dega në Vushtrri në dy mandate, deri në vitin 2007”.

Tutje, aty pretendohet se ai “dha dorëheqje të parevokueshme për shkak të konfrontimeve dhe politikave që po e dëmtonin Kosovën”.

Nasuf Bejta u bë lajm sot pasi njoftoi se do ta kundërkandidojë shefen e tij të listës ‘Guxo’ për postin e presidentes.
Madje, tregoi se para se ta bëjë këtë veprim, bisedoi me Vjosa Osmanin, për ta pyetur nëse i mbetet hatri për kandidaturën e tij për shef të shtetit.

Ndërkohë, ende mbetet e pa qartë nëse seanca për votimin e Presidentit të ri të Kosovës do të mbahet sot. Përkundër paralajmërimeve se sot të mbahet votimi, dhe mbledhje së nënshkrimeve, LVV-ja ka njoftuar se fillimisht sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit do të votohen ndryshimet e Ligjit për Zgjedhjet, të iniciuara nga partia e Kryeministrit Kurti, e më pastaj të vazhdohet me procedurat për zgjedhjen e presidentit.