Edhe gjashtë dokumente të tjera të klasifikuara u gjetën në shtëpinë e Bidenit

Hetuesit e Departamentit Amerikan të Drejtësisë kanë gjetur gjashtë dokumente të tjera të klasifikuara, gjatë një kontrolli 13 orësh, në shtëpinë e presidentit Joe Biden në Delaware, thotë një avokat i Biden.

Disa dokumente të sekuestruara në pronën e tij në Wilmington të premten ishin nga koha e tij si senator dhe të tjerat derisa ishte si zëvendëspresident në kohën e Barack Obamës, shkruan BBC.

Avokati Bob Bauer tha se “shënimet e shkruara personalisht me dorë” dhe “materialet përreth” u morën gjithashtu. Biden dhe gruaja e tij nuk ishin të pranishëm.

Presidenti ofroi qasje “në shtëpinë e tij për të lejuar departamentin e drejtësisë të kryejë kontrolle në të gjithë ambientet për të dhënat e mundshme dhe materialet e mundshme të klasifikuara”, tha Bauer në një deklaratë të shtunën.

Në fillim të këtij muaji, avokatët e Biden thanë se grupi i parë i dokumenteve të klasifikuara ishte gjetur më 2 nëntor në Qendrën Penn Biden, një institut kërkimor që presidenti e themeloi në Washington DC.

Ndërsa, grup i dytë i dokumenteve u gjet më 20 dhjetor në garazhin në shtëpinë e tij në Wilmington, ndërsa po ashtu edhe më 12 janar është gjetur një dokument tjetër në shtëpi, thanë avokatët e tij.

Pas gjetjes së dokumenteve, presidenti tha se ekipi i tij ia dorëzoi menjëherë Arkivit Kombëtar dhe Departamentit të Drejtësisë. Nuk është e qartë pse Biden i kishte mbajtur ato.

Sipas Aktit të Regjistrimeve Presidenciale, të dhënat e Shtëpisë së Bardhë supozohet të shkojnë në Arkivin Kombëtar sapo të përfundojë një administratë, ku ato mund të ruhen në mënyrë të sigurt.

Një këshilltar i posaçëm, Robert Hur, është caktuar për të udhëhequr hetimin e dokumenteve të ndjeshme.