Pas ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është distancuar nga deklarata e zëvendësministrit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, i cili e akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për nxitje të trazirave në veri të vendit.
E ftuar në “Interaktiv” të KTV-së, Gërvalla ka thënë se Vokrri e ka gabim, pasi ajo që i frynë trazirave është politika e Beogradit.
“E di për cilën deklaratë e keni fjalën, ai është një zv.ministër, s’e kam lexuar deklarimin e plotë, por titullin, Vokrri e ka gabim pasi ka një adresë të qartë se kush i fryn trazirave. Ajo s’është as politika e sundimit të ligjit, por politika e Beogradit.. nuk pajtohem me z.Vokrri që Orav mund t’i ketë fryrë trazirave, e dimë saktë kush i fryn trazirave”, ka thënë ajo.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Vokrri ka thënë se një ndër diplomatët ndërkombëtarë është edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
“Pala ndërkombëtare, unë kam qenë vetë dëshmitar në disa situata që i ka nxitur vetë trazirat. Nuk po them patjetër të përmasave shumë të mëdha, por me deklarimet e tyre, me takimet e tyre kanë inkurajuar eksponentë të lidhur me Listën Serbe që të bëjnë trazira… Janë diplomatë ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, e kam përmendur edhe z.Orav, shefi i misionit të BE-së në Kosovë, si njëri nga nxitësit e një prej trazirave. Ka qenë pas atij incidenti, ku u grumbulluan një pjesë e aktivistëve politikë të veriut që njihe për sponsorizim nga shteti serb dhe e bënë një tollovi aty, pasi që përfundoi e tëra, e pashe në rrjete sociale se të njëjtit pak orë para se ta bënin këtë tollovi kanë qenë në takim me të, kjo është vetëm një prej shembujve”, ka thënë ai.







