Edhe Escobari thotë se e pati vështirë me Vuçiqin

Gabriel Escobar, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, është deklaruar pas takimit që ka pasur gjatë ditës së sotme me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Escobar për takimin me presidentin serb ka thënë se ishte takim i vështirë dhe i gjatë, shkruan lajmi.net.

Po ashtu ai ka deklaruar se e vlerëson përkushtimin e Vuçiqit për paqen dhe stabilitetin dhe se puna vazhdon.

“Escobar: Takimi i vështirë dhe i gjatë tani me presidentin Vuçiq. Ne vlerësojmë përkushtimin e Presidentit për paqen dhe stabilitetin. Puna vazhdon”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Serbi. /Lajmi.net/

Përveç Escobar, sot me Vuçiqin është takuar edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Edhe Lajçak, takimin me presidentin e Serbisë e ka vlerësuar si të vështirë.

“Patëm një diskutim të vështirë, por të përgjegjshëm me Aleksandar Vuçiq. I përcolla mesazhet dhe theksova se të gjitha marrëveshjet e Dialogut duhet të zbatohen, përfshirë edhe Marrëveshjen e vitit 2011 për Lirinë e Lëvizjes. Ne do të vazhdojmë bisedimet më vonë sonte”, ka thënë Lajçak.