Edhe dy britanikë kapen nga rusët në Ukrainë, mund të përballen me dënimin për vdekje

Edhe dy britanikë të tjerë janë duke u mbajtur nga përfaqësuesit rusë në Ukrainën lindore dhe po akuzohen se luftuan si mercenarë, kanë raportuar media shtetërore ruse. Në raportim thuhet se ata mund të përballen me dënimin me vdekje në një përpjekje të mundshme për të ushtruar presion ndaj vendeve perëndimore për të bërë një marrëveshje për lirinë e tyre.

Britanikët Andreë Hill nga Plymouth dhe Dylan Healy nga Huntingdon u raportuan se ishin akuzuar gjithashtu për “marrje me forcë të pushtetit”, sipas një agjencie shtetërore të lajmeve në Donetsk të kontrolluar nga Rusia. Raporti është marrë nga një zyrtar anonim dhe nuk është konfirmuar.

Dy britanikë dhe një maroken u dënuan me vdekje me akuza të njëjta nga autoritetet në Donetsk, rajoni i kontrolluar nga Rusia muajin e kaluar. Nuk është caktuar një datë për ekzekutimin e dënimeve dhe të paktën dy nga burrat po apelojnë kundër vendimit.

Hill, i cili u identifikua si baba i katër fëmijëve nga Plymouth, është shfaqur në televizionin rus në disa klipe, duke përfshirë një që u transmetua muajin e kaluar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Në klip, ai dukej se ishte informuar se mund të përballet me kallëzim penal, duke thënë se po “mbahej këtu si mercenar i dyshuar”. Hill, i cili raportohet se ka shërbyer më parë në regjimentin Lancaster të ushtrisë britanike, u shfaq për herë të parë në televizionin rus pas kapjes së tij në fund të prillit.