Edhe ata që kanë të ardhura nga qeraja duhet t’i deklarojnë deri më 31 maj

Masa ndëshkuese për të gjithë personat që nuk deklarojnë të ardhurat personale e i shmangen tatimit, ka paralajmëruar gjatë ditës së djeshme ministri i Financave, Hekuran Murati.

Murati në një konferencë për media tha se se secili qytetar i cili merr të ardhura gjatë vitit të cilat nuk tatimohen, duhet t’i plotësojë në formularin e atë ardhurave personale të Administratës Tatimore të Kosovës.

Ndër këto të ardhura që duhet të deklarohen ai shpjegoi se janë edhe qiratë.

“Pra, nëse kanë pasur fitim kapital nga shitblerja e pronave, kanë pasur fitim kapital nga shitja e kriptovalutave, kanë pasur fitim kapital nga dhënia ose këmbimi i tokës me banesa, apo rasteve të tjera, shitja e aksioneve e të tjera, në kompani të ndryshme, duhet ta e plotësojnë këtë formular. Nëse kanë pasur të ardhura nga qiraja duhet ta plotësojnë këtë formular”, është shprehur ministri Murati.

Përpos qirave, Murati bëri të ditur se të ardhurat me burime nga jashtë po ashtu duhet të deklarohen si ato nga Freelance, Youtube e rrjete tjera sociale.