Prishtinë

Edhe 20 milionë euro për ngrohjen në Prishtinë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë sot ka paralajmëruar përkrahjen financiare për investime shtesë në Termokos për të pasur ngrohje edhe në disa lagje të tjera në kryeqytet.

Kjo u bë e ditur nga zyrtarë të lartë të Zyrës së BE në Prishtinë gjatë një diskutimi për Efiçiencën e Energjisë, Kogjenerimin dhe projektin e ngrohjes së qytetit në Prishtinë.

Libor Chlad nga Zyra e BE-së në Prishtinë, ka thënë se përveç kryeqytetit, edhe në Gjakovë do të nisë realizimi i projektit për ngrohje.

Sipas tij, projekti i cili ishte financiar më parë për ngrohtoren e kryeqytetit, ka pasur një ndikim masiv për 12 mijë amvisëri ose 60 mijë individë nga ky projekt. Chlad ka mirëpritur miratimin Ligjit për Efiçencë të Energjisë në Kuvendin e Kosovës.

Chlad: Do të investojmë edhe 20 milionë euro për ngrohje në Prishtinë.

“Tashmë jemi duke shikuar mënyrat se si ta përmirësojmë tutje sistemin me financime shtesë deri në 20 milionë euro në këtë projekt. Besoj se disa prej lagjeve në Prishtinë, veçanërisht Kalabria dhe Mati do të përfitojnë drejtpërdrejt nga projekti i Termokosit”, ka thënë Chlad.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka thënë se masat efiçente janë me rëndësi për një ambient të pastër, pasi kryeqyteti vazhdon të përballet me ndotje si pasojë e ngrohjes me thëngjill.

Ai tha se synojnë të dyfishohen kapacitetet e kogjenerimit dhe në 5-10 vitet e ardhshme të kyçen rreth 200 mijë banorë.

Ahmeti: Synimi ynë është dyfishimi i kapaciteteve të kogjenerimit

“Synim i yni kryesor duhet të jetë kogjenerimi, dyfishimi i kapaciteteve të kogjenerimit dhe financimi i zgjerimit të rrjetit për të përfshirë natyrisht edhe implementimi i projektit me MCC për matësit individual. Unë besoj që brenda dhjetë viteve, Prishtina nuk do ta ketë problemin e njëjtë të ndotjes të cilin e kemi sot”, deklaroi Ahmeti.

Ndërsa, Naser Canolli, kryeshef ekzekutiv në Termokos, tha se implementimi i projektit të kogjenerimit ka ndikuar edhe në mbrojtjen e ambientit.

Canolli: Termokosi nuk po e ndot ambientin

“Është dimri i pestë kur Termokosi furnizon 24 orë, 180 ditë pa ndërprerë konsumatorët, të cilat janë diku 13 mijë e 500 konsumator. 12 mijë e 500 janë konsumatorë privat, 1 mijë janë lokale afariste dhe institucione publike. Gjithashtu kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe në mbrojtjen e ambientit. Prej fillimit të kogjenerimit Termokosi nuk e ndot ambientin”, tha ai.

Në këtë panel kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Korporatës Energjetike të Kosovës. Drejtori ekzekutiv i divizionit TC “Kosova B”, Luigj Imeri, ka thënë se kogjenerimi është ndër projektet më të rëndësishme për të cilin, tha se bashkë me projektet tjera do të implementohen deri në vitin 2021.