Edhe 2 mijë e 300 euro planifkojnë t’i harxhojnë për çadra, çanta e llogo të Ministrisë së Infrastrukturës

Ministria e Infrastrukturës po planifikon të shpenzojë 2 mijë e 300 euro vetëm për t’u furnizuar me disa ombrella dhe çanta bezi. Madje, jo çfarëdo ombrellash.

Përmes njoftimit për kontratë të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Ministria që aktualisht udhëhiqet nga Pal Lekaj ka shpallur tender për furnizim me ombrella dhe qanta bezi me simbole dhe llogo të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në bazë të njoftimit të publikuar në KRPP, afati kohor për përfundim të furnizimit është 10 ditë nga dita e dhënies së kontratës.

Kompanitë e interesuara për të kryer këtë furnizim duhet të dorëzojnë deklaratën nën betim nga tenderuesi duke përdorur formën e përcaktuar ne dosjen e tenderit, vërtetim nga Administrata Tatimore, vërtetimin nga Gjykata Themelore-Departamenti për Çështje Ekonomike, kopje të çertifikatës së regjistrimit të biznesit, kopje të certifikatës së TVSH-së, kopje të certifikatës së numrit fiskal dhe mostrat për secilin artikull.

Afati i fundit për dorëzim të ofertave është 24 tetori i këtij viti. Tenderi duhet të dorëzohet vetëm në mënyrë elektronike deri në ora 14:00.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues, në bazë të nenit 108/A të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për kontratë”, thuhet në njoftimin e publikuar në KRPP.

loading…