Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se ka marrë sot vendimin nga Gjykata Supreme e Kosovës ku u konfirmua e drejta e bashkatdhetarëve tanë dhe më në fund u hap rruga për numërimin e pakove me vota të ardhura prej tyre.

“Presim që sa më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mblidhet dhe të marrë vendimin për të vijuar me procedurat e verifikimit dhe numërimit të këtyre fletëvotimeve”, thuhet në një postim të Lëvizjes Vetëvendosje në rrjetin social Facebook.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, e gjithë kjo mund të ishte evituar nëse prej 12 tetorit KQZ do të kishte lejuar administratën e saj t’i numëronte këto fletëvotime.

Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar në vendimin e PZAP, me të cilin nuk lejohej numërimi i 4639 zarfeve me vota, pasi kishin arritur me vonesë në Kosovë, edhe pse ato ishin nisur në kohë.

Në ankesën e dytë të Vetëvendosjes, Gjykata Supreme vendosi që KQZ të bëjë rinumërimin e 4639 fletëvotimeve të ardhura jashtë Kosovës.

loading…