“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur një burrështetas të kalibrit ndërkombëtar, senatorin Richard Lugar, i cili ka pasur rol protagonist në politikën e jashtme të këtij vendi, duke e bërë botën më të paqtë e më të sigurt.

Kështu ka shkruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me rastin e vdekjes së ish-senatorit amerikan Richard Lugar.Veseli thekson se Lugar ka qenë një mik i sinqertë dhe i përkushtuar i Kosovës. “Mirëpo, për ikjen e tij, është e pikëlluar edhe Kosova, që te senatori Lugar ka gjetur për dekada me radhë një mik të sinqertë e të përkushtuar, i cili na është gjetur në vështirësi e nevojë”, shkruan kreu i Kuvendit.

Sipas Veselit, mbështetja dhe zëri i tij i fuqishëm ishte një rreze e fortë drite për popullin tonë në kohët më të errëta. “Ai do të mbetet përherë në kujtesën tonë si një fisnik që është përpjekur ta bëjë këtë botë më të mirë dhe i mbetemi përherë borxhlinj për ndihmën që na ka dhënë”, ka shkruar Veseli në Facebook.