Presidenti Hashim Thaçi tri herë e ftoi për diskutim për krijimin e institucioneve të vendit kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili asnjëherë nuk gjeti kohë që t’i përgjigjet. E ftesës së fundit, Kurti iu përgjigj duke dhënë datën 6 janar 2020 në ora 15.00, të cilën e ka pranuar Thaçi.
Këtë presidenti i vendit e bëri të ditur gjatë adresimit të tij për fundvit ku foli për çështje të rëndësishme nëpër të cilat kaloi vendi gjatë vitit që po e lëmë pas.
Thaçi e ka mirëpritur faktin se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka pranuar t’i përgjigjet ftesës së tij të fundit për takim.
E për mos shkuarjen e Kurtit në takimet e ftuara nga ai, kreu i shtetit të Kosovës tha se nuk duhet të sillen me hatrime, por me përgjegjësi institucionale në të mirë të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se do të duartrokasë çdo marrëveshje për koalicion qeverisë ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, qoftë edhe nëse aty përfshihet posti i presidentit. Madje tha se nuk vuan që të jetë në Zyrën e presidentit dhe as nuk i mbetet nostalgji për asnjë zyrë institucionale edhe pse ka respekt të madh për to.
Lidhur me idenë e krijimit të një qeverie me pakica, presidenti i Kosovës tha se kjo çështje i takon Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese se me kë ajo dëshiron të arrijë marrëveshje, ndërsa bëri thirrje të respektohen afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja.
Në adresimin e tij, presidenti Thaçi vitin 2019 e ka konsideruar sfidues, por që sipas tij Kosova ka shënuar progres në reforma demokratike, në zhvillim ekonomik, zbatim të rendit dhe ligjit, afrimit në mes komuniteteve si dhe forcimin e Ushtrisë së Kosovës.
Përkundër që u dhanë shumë data se në vitin 2019 do të ndodhë liberalizimi i vizave, qytetarët e Kosovës nuk e gëzuan këtë të drejtë, dhe një vendim për mos liberalizim, kreu i shtetit tonë e konsideron një gabim historik të Bashkimit Evropian për të cilën nuk ka asnjë justifikim.
Ndonëse tha se është pritur se do të ketë njohje të reja për Kosovën gjatë vitit që po e lëmë pas, presidenti Thaçi tha se ato nuk kanë ardhur pasi që janë ballafaquar me një fushatë agresive nga Serbia dhe Rusia kundër Kosovës.







