Që nga 23 prilli në vend është duke u zhvilluar testimi ndërkombëtar i prirjeve në matematikë dhe shkencë, testim i cili do të ofrojë informacione se cila është gjendja e arsimit në Kosovë.
Në këtë testim që në Kosovë është duke u mbajtur për herë të parë, janë duke marrë pjesë 145 shkolla me gjithsej 500 nxënës të klasave të 4-ta. Rezultatet e nxënësve nga Kosova do të krahasohen me rezultatet e nxënësve të tjerë të moshës së njëjtë nga më shumë se 60 shtete të tjera pjesëmarrëse në TIMSS.
Në një intervistë për KosovaPress, zëvendësministri i Arsimit Heset Sahiti, ka thënë se përmes këtij vlerësimi ministria do të mbledh informacione për zbatimin e kurrikulave në shkollat e Kosovës.Sahiti ka deklaruar se rezultatet e vlerësimit TIMSS do të shfrytëzohen nga MAShT për reforma dhe politika arsimore, të cilat kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë në arsim.Zëvendësministri Sahiti ka thënë se në bazë të përgatitjeve që janë bërë presin që nxënësit të tregohen të suksesshëm në këtë testim.
Ai ka potencuar se pyetjet në këtë testim janë të përshtatshme për moshën e nxënësve, për çka thotë se presin që ata të tregohen të suksesshëm.
Sahiti ka deklaruar se si Ministri i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij testimi, derisa thotë se një vit më parë kanë bërë një testim pilot në mënyrë që nxënësit dhe mësimdhënësit të adaptohen me testin.
Sahiti ka folur edhe për përmbajtjen e testeve që nxënësit do të plotësojnë, duke thënë se ato janë të përshtatshme për moshën e tyre.
Testimi ndërkombëtar i prirjeve në matematikë dhe shkencë do të zgjasë deri më 10 maj. Testi TIMSS organizohet nga Organizata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve në Arsim-IEA, implementohet nga MAShT -Divizioni për Sigurim të cilësisë, Standardeve, Vlerësimit dhe Licencimit dhe mbështetet nga projekti Kosovo Educaion Sector Improvement (KESIP) i Bankës Botërore dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.







