Muaj më parë mbi 100 kosovarë u riatdhesuan nga zona e konfliktit në Siri, shumica prej të cilëve gra e fëmijë. Që nga ajo kohë, gratë gjenden në arrest shtëpiak, ndërsa janë 20 raste të cilat kanë kërkuar ndihmë sociale. Disa prej fëmijëve janë pjesë e skemës së mbrojtjes së strehimit familjarë, por ky strehim del të mos jetë i përhershëm, për çka nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se është mirë të ketë strehimore. Për fëmijët e kthyer nga Siria, po garantohet që nga shtatori të fillojnë mësimin, ndërkohë nuk dihet se a ka pasur parapërgatitje gjatë këtyre ditëve.

Nga 110 kosovarë të cilët arriti shteti i Kosovës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’i kthej në vend, në mesin e tyre janë 74 fëmijë, të cilët kanë qëndruar në vatra të rrezikshme. Disa prej këtyre fëmijëve të kthyer nga Siria, janë edhe pa përkujdesje prindërore.

Derisa një gjë e tillë është parë si “storie suksesi” për autoritetet e vendit, në këndvështrimin social, kthimi i tyre po shihet si jo i organizuar mirë.

Vebi Mujku, njohës i çështjeve sociale thotë për KosovaPress se qëndrimi i këtyre personave, për vetëm 72 orë në Qendrën e Azil-Kërkuesve në Vranidoll, nuk ka qenë profesionale, derisa shton se para se të ktheheshin nga vatrat e luftës, do të duhej të koordinohet strehimi i tyre.

Një numër i madh i këtyre fëmijëve të cilët janë ri-atdhesuar në Kosovë, thotë se kanë lindur në këto zona të rrezikshme të luftës, për çka sipas tij, duhet të punohet shumë në ri-integrimin e tyre.

Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi të ri-atdhesuarit mund të paraqesin edhe rrezik për Kosovën.

Nga 74 fëmijë të kthyer në Kosovë, shtatë prej tyre janë pa përkujdesje prindërore.

Mentor Morina, drejtor i Departamentit për Çështje Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se vetëm 20 raste kanë kërkuar ndihmë sociale, disa fëmijë thotë se kanë probleme edhe me çështjen e dokumentacioneve.

Por, strehimi i tyre në familjet strehuese, del të mos jetë afatgjatë, për këtë Morina thotë se do të duhej të kishte strehimore.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari thotë se shteti obligohet për mirëqenien e fëmijëve, pavarësisht situatës buxhetore.

Konsideron se shteti bën shkeljet më të mëdha ligjore nëse i lë pa përkujdesje këta fëmijë të kthyer nga Siria.

Derisa sfida më e madhe po konsiderohet ri-integrimi i fëmijëve, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi zotohet se të njëjtit në shtator do të integrohen në sistemin arsimor, ani pse nuk dihet se a janë bërë përgatitjet e duhura.

Për integrimin dhe ri-sistemimin e tyre po zotohet edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

E, deputeti Rexhep Selimi thotë se të gjitha problemet nuk përfundojnë me kthimin e tyre nga Siria, pasi siç thotë ai, mund të ketë akoma të kthyer.

Sipas tij, janë edhe 100 shtetas të Kosovës, të cilët ndodhen në vatrat e luftës.

Ani pse kanë kaluar katër muaj prej kur 74 fëmijë dhe 32 gra janë rikthyer nga zonat e luftës, Prokuroria Speciale nuk ka arritur të specifikojë qartë se cila nga to është e përfshirë në akte terroriste.

KosovaPress ka provuar të bisedojë me to, por të njëjtat nuk dëshirojnë të flasin dhe janë udhëzuar edhe nga institucionet të mos e bëjnë këtë.

Derisa me shkrim, Fehmije Gashi, avokate e njërës prej grave të kthyerave nga zona e konfliktit, i ka thënë KosovaPress-it se gratë e kthyera nga Siria po trajtohen mirë nga shteti.

loading…